Pollo: Nuk ka vendim pozitiv në qershor për Shqipërinë

20:46 | 28 Shkurt 2019

Genc Pollo, tashmë ish-deputet i Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja se në muajin qershor nuk do të ketë vendimmarrje mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë.

“Parlamenti Europian gjithmonë ka qenë pro Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi… Gjithmonë i jep gaz pranimit. Edhe Komisioni Europian kërkon të ketë arritjet e veta. “Problemi” kanë qenë shtetet anëtare që kanë verifikuar më me seriozitet problematikat dhe nuk janë bindur. Ajo që dua të them unë është se në qershor nuk ka vendimmarrje. Madje, Shqipëria për shkak të problemeve të veta po djeg edhe Maqedoninë”, deklaroi Pollo.

“Komisioni Europian dy herë ka qenë pro, dy herë ka propozuar dhe dy herë ka mbetur në klasë nga shtetet anëtare. Informacionet tona kanë qenë shumë më përpara demonstratës së ditës së shtunë dhe shumë përpara tensionimit apo njomjes me bojë të Edi Ramës. Kanë qenë nga analizat e bëra në 6 apo 12 muajt e fundit dhe nëse shtetet anëtare duan të hapin negociatat për Maqedoninë, për shkak të marrëveshjes së arritur me Greqinë duan t’i japin një shpërblim. për Shqipërinë nuk janë të gatshme sepse krahas reformës në drejtësi, e cila ka problemet e veta, por për të cilën ka në tërësi një opinion pozitiv, krimi dhe korrupsioni nuk është luftuar sa duhet. Kjo e pengon. Në qershor nuk do të jetë në rendin e ditës së Këshillit Evropian çështja e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Me gjasë mund të hapet në shtator. Ky është realiteti para marshimit të 16 shkurtit”, shtoi Pollo./tch

Shpërndaje në rrjete sociale