Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz-Calavera.
Presidenti Nishani falënderoi Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian, përfshirë në reformën aq jetike për vendin, atë të drejtësisë.
Duke çmuar punën e madhe që është bërë deri tani në këtë drejtim, Presidenti Nishani evidentoi se dy elementët që kanë qenë dhe mbeten thelbësorë për suksesin e reformës në drejtësi janë konsensusi dhe besueshmëria.
Ai inkurajoi zonjën Calavera, dhe nëpërmjet saj institucionet e Bashkimit Evropian, që të nxisin më tej procesin në këtë trajektore, me qëllim rritjen e besimit ndërmjet palëve dhe tek qytetarët shqiptarë.
Kreu i Shtetit gjithashtu theksoi se ftesa e drejtuar ndaj partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në realizimin e reformës në drejtësi ka qenë shumë e sinqertë, ndaj përfshirja e tyre edhe në Kushtetutën e vendit, edhe pse përbën një rast unik, është gjykuar si thelbësore për zbatimin efikas të reformës.
Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës informoi se në cilësinë e Kreut të Shtetit ka kërkuar zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit nga të gjitha palët përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë, siç janë miratuar konsensualisht në Kuvendin e Shqipërisë dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës, duke besuar në suksesin e këtij procesi të pakthim.
Në fund të takimit, Presidenti Nishani vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e shmangies së çdo tentative për politizimin e procesit, duke inkurajuar transparencën, paanshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tij në çdo etapë.
Çmimi i arit thyen rekord historik, kapërcen për herë të par...
Hamza takon Malajn, flasin për forcimin e lidhjeve kombëtare...
Edi Rama takohet me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu
Rreth 90 të lënduar kur rrufeja ra pranë një tubimi në mbësh...
KQZ ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale...
Zgjerim hetimesh për zgjedhjet e 12 tetorit kërkojnë 33 ish-...