Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin informal mes Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe homologëve nga Ballkani Perëndimor, të zhvilluar me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.
Në fjalën e tij, Ministri Hoxha theksoi se për Shqipërinë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian përbën një zgjedhje strategjike dhe garancinë më të fortë për paqe afatgjatë, stabilitet dhe transformim demokratik.
“Për Shqipërinë, zgjerimi i BE-së është një zgjedhje strategjike, si garancia më e fortë për paqe afatgjatë, stabilitet dhe transformim demokratik”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se procesi i zgjerimit është po aq i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky proces duhet të mbetet i bazuar në meritë, por njëkohësisht i besueshëm, i prekshëm dhe i ndjekur në mënyrë aktive.
“Besojmë gjithashtu se zgjerimi është po aq i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian, siç është dëshmuar nga shtatë ciklet e mëparshme të zgjerimit. Ky proces duhet të mbetet i bazuar në meritë, por edhe i besueshëm dhe i prekshëm”, u shpreh Ministri.
Në deklaratat e tij, Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në këtë drejtim.
“Shqipëria ka investuar vazhdimisht dhe do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin rajonal, sepse nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme”, tha ai.
Në mesazhin e tij pas takimit të publikuar në rrjetin social X, Ministri Hoxha u shpreh se bota po përballet me sfida të thella gjeopolitike, duke theksuar se uniteti i qëllimit dhe veprimit është sot domosdoshmëri.
“Rregullat dhe siguritë që për një kohë të gjatë i konsideronim garanci të stabilitetit, sot duken gjithnjë e më të brishta. Në këtë kontekst, uniteti nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri”, shkroi ai.
Ai përsëriti se për Shqipërinë, integrimi evropian nuk është një opsion selektiv, por një angazhim i plotë.
“Për Shqipërinë, përafrimi me Bashkimin Evropian nuk është një menu nga e cila mund të zgjedhim sipas dëshirës. Ne i lejojmë vetes vetëm një përqindje: 100%”, theksoi Hoxha.
Duke folur për Ballkanin Perëndimor, Ministri nënvizoi nevojën për adresimin e çështjeve të hapura dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, duke e cilësuar procesin e normalizimit si thelbësor për stabilitetin afatgjatë të rajonit.
“Ballkani i së kaluarës mund t’i përkasë historisë, por rajoni duhet të bëjë më shumë për të merituar plotësisht kuptimin politik dhe demokratik të termit ‘Perëndimor’”, u shpreh ai.
Në fund, Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e përballjes me kërcënimet kibernetike dhe hibride, duke përmendur përvojën e Shqipërisë si një shembull të forcimit të qëndrueshmërisë institucionale.
“Sa më shumë t’i afrohemi Bashkimit Evropian, aq më të sofistikuara bëhen këto kërcënime. Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi dhe qëndrueshmëria janë thelbësore”, deklaroi Ministri.
Ai rikonfirmoi objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi mbetet i vendosur të kontribuojë në suksesin e përbashkët të këtij procesi për Shqipërinë, rajonin dhe Evropën.
Lionel Messi i dërgon mesazh Barcelonës pasi fituan titullin...
Helen Fraser nis dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëv...
Ministri shqiptar në Bruksel: Zgjerimi i BE-së është garanci...
Cilat janë propozimet e Iranit refuzoi që Trump si të papran...
Konjufca në Bruksel: Kosova kërkon status kandidat në BE dhe...
Tri vjedhje të rënda brenda një dite në Kosovë, cak stolitë ...