Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare me një rend dite të ngjeshur, në fokus të të cilit do të jenë 4 interpelanca dhe një sërë projektligjesh të rëndësishme për ratifikime ndërkombëtare dhe ndryshime ligjore.
Seanca do të nisë në orën 10:00 me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të datës 9 prill, ndërsa më pas pritet të vijojë me njoftime dhe katër interpelanca të kërkuara nga deputetë të opozitës.
Konkretisht, do të zhvillohet një interpelancë urgjente me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe një tjetër me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, të kërkuara nga deputetë të Partisë Demokratike. Po ashtu, në rend dite janë edhe interpelanca me kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Albana Koçiu, të kërkuara nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Në vijim, Kuvendi do të shqyrtojë disa projektligje të rëndësishme, mes të cilave ratifikimi i një protokolli shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, si dhe marrëveshje financimi për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit pas tërmetit të vitit 2019.
Gjithashtu, deputetët do të diskutojnë ratifikimin e një marrëveshjeje me Gjermaninë për bashkëpunimin teknik në kuadër të projektit “Green Vjosa”, si dhe aderimin e Shqipërisë në një marrëveshje ndërkombëtare për menaxhimin e burimeve peshkore.
Në rend dite përfshihen edhe ndryshime në ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, si dhe një projektvendim për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.
BE-ja nis parafinancim 61.8 milionë euro për Kosovën në kuad...
Distria Krasniqi kualifikohet në finale të Kampionatit Evrop...
Arrestohet personi i kërkuar për vrasje të rëndë – i s...
Kosova riafirmon mbështetjen për Ukrainën
Rikthehet në normalitet transporti publik në Shqipëri, opera...
Kurti pret në takim deputetin e ardhshëm zviceran Arbër Bull...