Kush ishte 34-vjeçari që terrorizoi policinë, shtriu efektivë në tokë, u mori makinën dhe u arratis

00:34 | 13 Mars 2021

Një 34 vjeçar u arrestua mbrëmjen e sotme pas terrorit që ushtroi nga të shtënat me armë në Divjakë.

Ngjarja që terrorizoi jo vetëm qytetarët, por edhe policinë mbrëmjen e sotme në fshatin e Gradishtës, Divjakë, fatmirësisht u mbyll me prangosjen e autorit të ngjarjes dhe pa të lënduar.

Pasi patrulla u njoftua mbi rrezikun që ai paraqiste, kur u pa i dehur të qëllonte me armë në fshat, u nis drejt vendngjarjes.

Mësohet se  34-vjeçari Artan Kaboci i është përgjigjur forcave të policisë duke i kërcënuar.

Ai i ka shtrirë në tokë policët dhe më pas ka nisur t’i thyejë xhamat e makinave të tyre.

Pas këtyre akteve, ka marrë një nga furgonët e policisë dhe është larguar nga vendngjarja.

Efektivët kanë kërkuar me urgjencë përforcime dhe FNSH e Lushnjës ka mbërritur me urgjencë duke rrethuar zonën ku ndodhej i armatosuri.

Pas thirrjeve të shumta, Kaboci është dorëzuar.

Ai njihej si person problematik në zonën e Divjakës.

Njoftimi i policisë lidhur me ngjarjen:

Sot rreth orës 19:30, në Sallën Operative ka ardhur një njoftim se në fshatin Gradishtë, në banesën e shtetasit A. K., 34 vjeç, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar shërbimet e policisë të cilët kanë bërë rrethimin e banesës dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje shtetasit A.K të hidhte armën por 34-vjeçari nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe në tentativë për tu larguar ka dëmtuar me sende të forta tre mjete të Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e tij. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara