Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është pritur në Vilnius nga Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme të Lituanisë, Remigijus Motuzas, në një takim të fokusuar te bashkëpunimi ndërparlamentar dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, palët theksuan rëndësinë e diplomacisë parlamentare si një instrument kyç për avancimin e objektivave të përbashkëta, veçanërisht në kuadër të rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Lituania i ka dhënë këtij procesi.
Në diskutime u nënvizua gjithashtu nevoja për forcimin e unitetit brenda NATO-s dhe thellimin e bashkëpunimit euroatlantik, në një kontekst sigurie gjithnjë e më kompleks.
“Ne ramë dakord për rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit të zgjeruar ndërparlamentar si instrumente të vlefshme për avancimin e objektivave tona të përbashkëta, duke përfshirë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ku i jemi mirënjohës Lituanisë për mbështetjen e saj të vazhdueshme.
Në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, dy vendet tona mbeten të bashkuara fort për forcimin e unitetit të #NATO-s, ruajtjen e sigurisë euroatlantike dhe mbrojtjen e vlerave demokratike”, shkruan Hoxha në rrjetin social Facebook.
Sipas Hoxhës, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës mbetet sfida më e madhe për arkitekturën e sigurisë në Evropë, duke e bërë edhe më të domosdoshëm bashkëpunimin e ngushtë mes aleatëve për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe stabilitetit në kontinent.
Hoxha dhe homologu lituanez Remigijus Motuzas vlerësuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe koordinimit në çështjet e sigurisë dhe integrimit europian.
“Agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për arkitekturën e sigurisë së Evropës. Në këtë moment kritik, uniteti, solidariteti dhe bashkëpunimi i ngushtë midis Aleatëve dhe partnerëve janë më thelbësore se kurrë për të mbrojtur vetë parimet mbi të cilat paqja dhe stabiliteti në kontinentin tonë janë ndërtuar prej kohësh”, nënvizon Hoxha.
Hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik, intervistohet nj...
Maresca pasues i Guardiolës, zbulohen detajet e kontratës
Iraola favorit për ta zëvendësuar Allegrin, zbulohen detaje ...
Netanyahu: Izraeli do të intensifikojë sulmet ndaj Hezbollah...
Policia në Drenas arreston të dyshuarin për vrasje në tentat...
Policia e Kosovës publikon statistikat: 25 aksidente me të l...