Edi Rama e sheh arrestimin e Erion Velijajt si sukses të reformës në drejtësi

09:22 | 31 Korrik 2025
E.K

Në një intervistë të gjatë dhe të botuar në magazinën e gazetës së përjavshme gjermane DIE ZEIT, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk e përmend me emër kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por e interpreton arrestimin e tij si dhe arresimet e zyrtarëve të tjerë si sukses të drejtësisë së re në Shqipëri.

Rama thotë se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë më 1912, një prokuror i pavarur merr në hetim zyrtarë të lartë.

Sipas tij, politika nuk është më mburojë për të korruptuarit. Rama e paraqet këtë si një arritje të madhe të qeverisë së tij dhe një dëshmi që Shqipëria – më në fund – ka ndërtuar një sistem gjyqësor që nuk mbron më politikanët e korruptuar.

Rama nuk e mbron personalisht Veliajn, as nuk distancohet qartë, por e përdor rastin për të forcuar narrativën e reformës në drejtësi, që, sipas tij, funksionon mbi baza të reja dhe është e pavarur nga pushteti.

Intervista e DIE ZEIT me Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë që nga viti 2013, nis me përshkrimin e një përplasjeje të mëhershme midis gazetarit Stefan Willeke dhe Ramës pas një artikulli kritik të botuar në maj 2024.

Rama i kishte telefonuar i revoltuar gazetarit në fjalë dhe më pas e kishte ftuar për një bisedë. Një dëshmi kjo mbi talentin e Ramës për të luajtur rolin e kameleonit. Kjo është një metodë që Rama e ka provuar disa here¨ me gazetarë perëndimorë. Pas artikujve kritikë, ai i kontakton ata, i qorton, indirekt i kërcënon se do të përballen edhe me pasoja juridike, pastaj, kur e vëren se kjo nuk u bë përshtypje gazetarëve, ai e ndërron pllakën e gramafonit, i fton gazetarët në Shqipëri dhe tregohet i gatshëm për të dhënë një intervistë. Kështu është zhvilluar edhe procesi deri te intervista me DIE ZEIT.