Dëbimi i diplomatit nga Shqipëria, reagon ambasada ruse: Vendim i pabazuar

08:41 | 22 Janar 2021

Ambasada Ruse në Shqipëri, i ka konsideruar të pabazuara akuzat ndaj diplomatit rus, të shpallur person “non grata” me argumentin se shkeli masat anti-Covid.

Mediat ruse, duke cituar burime nga ambasada në Tiranë, shkruajnë se selia diplomatike në Shqipëri, së pari i konsideron akuzat të pabaza dhe së dyti thotë se nxjerrja e emrit të zyrtarit bie ndesh me praktikën ndërkombëtare diplomatike.

“Ne i konsiderojmë të pabazuara të gjitha akuzat ndaj diplomatit rus të përmendura në këto dokumente. Ne gjithashtu vërejmë, se shënimi në njoftimin për shtyp të emrit dhe mbiemrit të punonjësit tonë, bie ndesh me praktikën e vendosur diplomatike ndërkombëtare”, – tha ambasada ruse në Tiranë.

Selia diplomatike, konfirmoi për agjencinë “RIA Novosti” se ka marrë vendimin nga pala shqiptare dhe informoi Ministrinë e Jashtme Ruse.

Qeveria shqiptare e shpalli diplomatin rus, Alexei Krivosheev person “non grata” për shkak se sipas saj, ai shkelte masat epidemiologjike të marra kundër pandemisë së koronavirusit.

Ministria e Jashtme shqiptare, tha se diplomati “shkeli masat anti-koronavirus” dhe duhet të largohej nga vendi brenda 72 orësh.

Në të njëjtën kohë, Tirana zyrtare shprehu dëshirën se Moska do ta trajtojë këtë vendim si një masë të detyruar për të mbrojtur shëndetin.

Pala shqiptare, thekson RIA Novosti, i siguroi kolegët rusë për ndjenjat miqësore dhe gatishmërinë për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis vendeve.

Sipas burimeve mediatike, diplomati rus kishte shkelur në mënyrë të vazhdueshme karantinën gjatë muajit prill, duke lëvizur jashtë orarit të lejuar.

Një praktikë e ndjekur vazhdimisht nga ai, përfshirë dhe mungesën e mbajtjes së maskës në ambiente publike, duke injoruar kështu masat e vendosura për pandeminë Covid 19./NOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara