Berisha në Peqin: Energji më e lirë dhe taksa më të ulëta

14:05 | 3 Maj 2025
Q L

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë një takim me qytetarë të Peqinit, për të prezantuar kandidiatët për deputet të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për Qarkun Elbasan, si dhe programin elektoral të kësaj force politike.

Gjatë takimit, Berisha theksoi rëndësinë e angazhimit qytetar dhe pjesëmarrjes masive në votime. Krahas prezantimit të kandidatëve, kreu i demokratëve paraqiti edhe pikat kryesore të programit elektoral të koalicionit, të cilat, sipas tij, synojnë “një Shqipëri të zhvilluar, me ekonomi të fortë, drejtësi të pavarur dhe institucione që i shërbejnë qytetarëve”.

“Të dashur miq, me 11 Maj me votën tuaj bëni një ndryshim që e tejkalon shpesh herë edhe imagjinatën sepse pas 11 Majit, të gjithë pensionistët dhe rroge ulëtit do marrin kartën e konsumatorit, me të cilën do blejnë bukën, sheqerin, vajin, orizin, mishin, qumështin, vezët, 20 për qind më lirë. Do fitojnë në vit 450 euro vetëm nga kjo kartë.

Me 11 Maj me votën tuaj ju bëni një ndryshim shumë të madh sepse fermeri shqiptar do ketë jo më 32 milionë euro siç pati në buxhetin 8 miliardë euro. Fermerët japin 19 për qind të prodhimit të përgjithshëm të vendit. Fermerët punësojnë 500 mijë shqiptarë dhe ai ndau 32 milionë euro për ta.

U garantoj se kjo shumë do të pesëfishohet dhe do subvencionoheni për çdo fidan të mbjellë, pesë herë më shumë se sot. Do subvencionoheni për çdo kokë bagëti dhe njësi prodhimi pesë herë më shumë se sot. Dhe çdo kriter i vendosur se duhet të keni 10 lopë apo kaq hektarë tokë, bie. Për çdo kokë, për çdo fidan, për çdo njësi prodhimi do jetë subvencionimi.

Ju e keni dëgjuar të sëmurët me sëmundje të rënda lihen në mëshirë të sëmundjes dhe pa ilaçe. Kjo sepse ata që prokurojnë ilaçet, i vjedhin lekët, nuk prokurojnë ilaçe dhe të sëmurët rrinë pa ilaçe. Kjo është një gjendje që ngjitet në nivelin e krimeve kundër njerëzimit, sepse të lësh tjetrin të vdesësh nga sëmundja, ky është krim kundër njerëzimit”, tha Berisha.

Berisha, premtoi reforma të mëdha në sektorin e shëndetësisë dhe mbështetje të fortë për biznesin, nëse koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” fiton zgjedhjet e 11 majit.

Në fokus të fjalës së tij ishte angazhimi për rimbursimin 100% të barnave të përfshira në listën e rimbursueshme të Italisë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

“Qytetarët shqiptarë në 100 ditët e para do kenë të rimbursuar 100 për qind listën e barnave që rimburson republika italiane. Po, nuk premtojmë ne as rrogat e italianëve, as edhe nivelin e tyre, po ilaçet e tyre po. Ato do i kenë shqiptarët për t’u mjekuar njëlloj si ata.

Pra, vota me 11 Maj është një votë për shëndetin tuaj, është një votë për njerëzit tuaj të sëmurë, është një votë për dinjitetin tuaj. Të dashur miq, vetë INSTAT publikoi para dy javësh një të dhënë sipas të cilës shqiptarët shpenzojnë nga xhepi i tyre për kujdesin shëndetësor 820 milionë euro në vit. Unë ftoj ndërgjegjen e çdo shqiptari të kujtojë se a nuk erdhi Edi Rama në pushtet me premtimin se shëndetësia do jetë falas.

Kurse sot shqiptarët paguajnë më shumë nga xhepi për shëndetin tuaj se çdo qytetar evropian dhe ndoshta se çdo qytetar në botë. Vota juaj me 11 Maj do të jetë votë për të kursyer xhepat e shqiptarëve 800 milionë euro dhe kjo nuk është pak se kjo kthehet në të mira për shqiptarët dhe familjet e tyre.

Të dashur miq, Peqini madhështor është Peqini i bizneseve që zgjerohen dhe lulëzojnë, që mëkëmbën dhe pasurohen nga muaji në muaj dhe viti në vit. Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush se bizneset e vogla do e kenë energjinë 3 herë më lirë, nga 18 në 6 lekë. Tavanet për TVSH-në dhe tatim fitimin do rriten nga 100 mijë dhe 140 mijë euro që janë sot në 180 mijë euro.

Tarifa e ujit do përgjysmohet. Të dashur miq, hapësira të reja për biznesin janë mundësi të reja punësimi, mundësi të reja pasurimi për qytetarët shqiptarë. Ndaj dhe vota më 11 Maj është votë për mëkëmbjen e biznesit në Shqipëri, është votë për mirëqenien e çdo biznesmeni dhe të qytetarëve në tërësi. Garantoj bizneset e mëdha se Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë dhe më shumë në Shqipëri.

Se tatimi mbi fitimin do jetë 10 për qind. Se TVSH do zbresë nga 20 në 15 për qind. Dhe se energjia do u shitet 3 herë më lirë. Çdo i ri që do punësohet, shteti do i paguajë sigurimet shoqërore për një vit. Pra, vota e juaj dhe e punëtorëve tuaj me 11 Maj për ndryshimin është votë për zgjerimin, është votë për suksesin më të madh të sipërmarrjeve tuaja”, u shpreh Berisha./rtsh