Basha: Thelbi i ndryshimit, normalitet europian në ekonomi, shoqëri, arsim e shëndetësi

18:23 | 11 Prill 2021

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, po vazhdon fushatën elektorale nga Elbasani, ku zhvilloi një takim me familje të vjetra elbasanase.

Kryedemokrati u ndal te kultura, duke thënë se institucionet kulturore në vend e kanë humbur identitetin e tyre. “Sipas tij, ky normalitet do të vij me zotimin se qeveria e ardhshme ka për synim zgjimin ekonomik kombëtar, vende pune, investime me paga më të larta, ringjalljen e kulturës, të artit, për të bërë të mundur arsimin normal dhe shëndetësinë që ju shërben njerëzve dhe rinisjen e rrugës që qe nisur me heqjen e vizave, rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Sipas Bashës, vendi ka nevojë për normalizimin e politikës, ekonomisë dhe kulturës. “Dua të ndalem te një tjetër metaforë e Normales, se s’ka të bëjë vetëm me shkollën dhe rëndësinë e shkollës për arsimin shqiptar, po ka të bëjë me normalitetin si tipar i elbasanlliut dhe zonjave të Elbasanit. Normalitetin, si tipar i civilizimit, i qytetarisë. Normalitetin, si dëshirë tashmë dhe si aspiratë në një Shqipëri të ç’normalizuar, në një Shqipëri, ku politika e premtimeve të pambajtura ka çuar drejt një gjuhe dhe drejt një sjellje që do të ishte e papranueshme në çdo familje normale shqiptare.

Por kjo nis vetëm duke normalizuar politikën. Kjo është simptoma e asaj që ka ndodhur këto 8 vite, sepse këto 8 vite s’ka mbajtur asnjë premtim dhe fushata është momenti kur ai që ka qeverisur duhet të japë llogari për premtimet. Kjo është betejë për të mundësuar që çdo i ri dhe e re e Elbasanit të ketë arsimin e duhur dhe punësimin dinjitoz”.

Ai krahason tiparet “normale” të këtij qyteti me normalitetin e karakterit të tij. “Normaliteti tipari i Elbasanit më bën krenar që kam qenë deputet i këtij qarku sepse kur kam ardhur këtu ju kam thënë se nga të gjithë, pothuajse nga të gjithë zonat e tjera me qarkun e Elbasanit nuk kisha lidhje. Natyrisht unë dhe prindërit e mi kemi lindur në Tiranë, origjina e prindërve është nga Veriu, ime shoqe i ka nga Jugu, vetëm më Elbasanit nuk kisha një lidhje. Derisa kuptova brenda javës së parë që na lidhte diçka, na lidh normaliteti, na lidhte normalja, qytetaria, tonet qytetare, veprimet qytetare dhe atë që përshkon qytetarinë europiane, një raport të drejtë midis atij që kërkon votën dhe atij që e jep votën”.

Lajmet më të lexuara