Arratisja e Altin Ndocit, Ministria e Drejtësisë shkarkon drejtorin e burgut të Durrësit

14:44 | 14 Janar 2026
E.K

Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit.

Shkarkimi i tij vjen pasi Drejtoria e Burgjeve deklaroi se nga verifikimet paraprake është konstatuar se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Pamje ekskluzive të siguruara nga RTSH.al kanë dokumentuar momentin kur Altin Ndoci është dërguar drejt ambienteve spitalore. Në pamjet e siguruara, ai shfaqet duke u transportuar me autoambulancë, pa pranga dhe i shoqëruar në krah vetëm nga një efektiv i policisë së burgjeve, ndërsa dy punonjës të tjerë shihen duke e ndjekur nga pas.

Gjithashtu, sipas Drejtorisë së Burgjeve IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe autoritetet e policisë për planifikimin e vizitës mjekësore.

Altin Ndoci, i njohur për precedentë penalë dhe i përfshirë në dosje të bujshme kriminale, u arratis një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.

Si pasojë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, përfshirë drejtorin, shefat e policisë, shërbimin shëndetësor dhe punonjës të tjerë të përfshirë.

Po ashtu, ditën e sotme u arrestuan 6 efektivë të policisë të cilët shoqëruan Altin Ndocin në ambientet e Spitalit të Durrësit, zv.shefi i Policisë së Burgut (dhe kryeinfermieri i spitalit.

Kush ishte Altin Ndoci

Altin Ndoci ndodhej në paraburgim prej 2020 për vepra të rënda penale. Ai njihet si pjesë e organizatës së Çopjave, si dhe dyshohet i përfshirë në masakrën e Bradasheshit në Elbasan ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibej, xhaxhai i Alibej dhe një shtetas turk.

Sipas dosjes së SPAK-ut, Altin Ndoci akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e Andi Zylyfit.

Ndoci akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale