Shqipëria po përgatitet të vendosë për herë të parë një kuadër të plotë ligjor për Inteligjencën Artificiale, duke u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian.
Projektligji i iniciuar nga AKSHI synon të rregullojë mënyrën se si zhvillohen, përdoren dhe hidhen në treg sistemet e IA-së. Bizneset do të përballen me kërkesa të reja për transparencë, dokumentim dhe kontroll të rreziqeve, shkruan Tvklan.al.
Sipas draftit, sistemet e Inteligjencës Artificiale do të klasifikohen sipas nivelit të rrezikut. Për teknologjitë që konsiderohen me rrezik të lartë, kompanitë do të duhet të garantojnë mbikëqyrje njerëzore, cilësi të të dhënave dhe monitorim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre.
Përveç detyrimeve të reja, drafti parashikon edhe sanksione financiare të konsiderueshme për shkelësit.
“Kompanitë që përdorin praktika të ndaluara të Inteligjencës Artificiale mund të përballen me gjoba deri në 40 -150 milionë lekë ose deri në 7 për qind të xhiros vjetore, në varësi të rastit. Autoritetet do të kenë kompetenca mbikëqyrëse dhe kontrolluese. Qëllimi është garantimi i përdorimit të sigurt dhe transparent të teknologjisë”, thuhet në reagimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Nëse miratohet, ligji do të krijojë rregullat e para të plota për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri, duke vendosur një ekuilibër mes zhvillimit të teknologjisë, mbrojtjes së konsumatorit dhe konkurrencës së ndershme në treg.
Lufta në Ukrainë/ Një i vrarë dhe 11 të plagosur në Kherson,...
Sa fituan klubet nga Champions League? PSG kryeson listën e ...
NASA: Shpërthimi i meteorit mbi SHBA ishte sa 300 tonë TNT
Shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve
Kurti për raportet me Ramën: Marrëdhënie të mira, por dallim...
Rastet me fruth, mobilizohen prindërit, rreth 800 fëmijë të ...