Prokuroria e Durrësit ka dalë me një njoftim zyrtar për anijen e cila do të vazhdojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e policisë derisa të përcaktohet vendi që plotëson kushtet e nevojshme për sigurinë fizike dhe mjedisore.
Në njoftim theksohet se vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes si dhe volumi i sendeve, llojit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike të tyre.
Prokuroria i është drejtuar disa institucioneve si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierë, shkruan Top Channel.
“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal nr.1596.2024 dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të konteinerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, datë 27.10.2024 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij”.
“Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre”.
“Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi. Për shkak të interesit të lartë publik që mbart kjo çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të vijojë të mbajë të informuar opinionin publik në lidhje me hapat e mëtejshëm”, thekson Prokuroria.
Anija turke “Molivia” që mban mbetje të dyshuara toksike në 102 kontinerë vazhdon të qëndrojë në ujërat e Radës që prej mëngjesit të së hënës.
Institucionet përgjegjëse deri tani nuk kanë ofruar një zgjidhje, duke shkaktuar shqetësim për ndikimin e mundshëm të mbetjeve në mjedis dhe shëndetin publik.
Pas debateve dhe në Kuvend mbi çështjen e anijes, Autoriteti Portual përmes një deklarate njoftoi se po punohet për të siguruar një venddepozitim dhe një zgjidhje të qëndrueshme për mbetjet.