Aksion kundër kultivimit të narkotikëve në Shkodër, procedohen 4 kryetarë fshatrash

12:34 | 28 Shtator 2025
E.G

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi po vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve në territoret e njësive administrative Pult dhe Shalë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 495 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Brucaj, shtetasin Y. D.; për kryetarin e fshatit Nicaj, shtetasin M. M.; për kryetarin e fshatit Abat, shtetasin N. M.; për kryetarin e fshatit Pecaj, shtetasin D. V.

Po ashtu, në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Qëndër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 365 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Në territorin e njësisë administrative Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 587 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa.

Po ashtu, vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.