Google ADS

21 Janari, Veliaj: Thirrje për drejtësi e llogaridhënie

10:14 | 21 Janar 2025
E.G

Kryebashkiaku i Tiranës ka përkujtuar tragjedinë e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 qytetarë protestues para 14 viteve në demonstratën e dhunshme ndaj qeverisë së kryeministrit Berisha në vitin 2011.

Përmes një postimi në Facebook, Veliaj shkruan se “21 Janari është një plagë në historinë tonë, por edhe një thirrje për drejtësi e llogaridhënie”

“21 Janari është një plagë në historinë tonë, por edhe një thirrje për drejtësi e llogaridhënie. Sot kujtojmë ata që humbën jetën duke kërkuar një Shqipëri më të drejtë e më demokratike”, shkruan Veliaj.

Ndërkaq, më herët, kryeministri Rama shkroi se “sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë…”

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011

Me qindra qytetarë u ngritën në protestë më 21 janar 2021 para kryeministrisë me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta pas fillimit të tubimit, nisën të hidhen gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.

Situata u tensionua më tej me tentativën e disa protestuesve për të hyrë në oborrin e kryeministrisë. Ajo që pasoi ishin të shtënat e armëve brenda territorit të kryeministrisë, që lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.

Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës u dërgua për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.

Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti kishte vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe vendosi në krye të akuzës si urdhërues të vrasjeve kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha./rtsh.al/

Të ngjashme