Edhe pse jetojmë gjithë jetën brenda trupit tonë, shpesh dimë fare pak për mënyrën se si ai funksionon
Deri vonë, qëllimi i këtij fenomeni nuk ishte i qartë dhe studiuesit vazhdojnë ta debatojnë. Por kjo sjellje e përbashkët jep një të dhënë për natyrën e saj dhe, me shumë gjasë, nuk është ajo që prisni.
“Sapo e pyes audiencën: ‘Pse mendoni se gogësijmë?’, shumica thonë se kjo ka të bëjë me frymëmarrjen dhe ndoshta ndihmon në rritjen e oksigjenit në gjak”, shpjegon Andrew Gallup, profesor i biologjisë sjellore në Universitetin Johns Hopkins. “Duket logjike, pasi shumica e njerëzve që gogësijnë kanë një reagim të dukshëm respirator”, shton ai.
Për ta testuar idenë se gogësijmë për të marrë më shumë oksigjen ose për të larguar tepricën e dioksidit të karbonit, studime të viteve ’80 ndryshuan përqendrimet e këtyre gazrave në ajrin që merrnin vullnetarët dhe zbuluan se, ndonëse ndryshimet ndikonin në procese të tjera respiratore, ato nuk ndikonin në shpeshtësinë e gogësimës.
Nuk ka lidhje me frymëmarrjen
Gjithashtu, nuk është vërejtur ndonjë dallim sistematik në sjelljen e gogësimës te njerëzit me sëmundje të frymëmarrjes ose me funksion të kufizuar të mushkërive, gjë që do të pritej nëse gogësima do të kishte lidhje me frymëmarrjen.
Disa rishikime të literaturës mjekësore sugjerojnë se gogësima rrit qarkullimin arterial të gjakut në kafkë dhe përmirëson kthimin venoz, ritmin me të cilin gjaku kthehet nga koka në zemër.
Zgjerimi i nofullës mund të shihet si një lloj shtrirjeje lokale, e ngjashme me shtrirjen e muskujve në pjesë të tjera të trupit. Ashtu si shtrirja ndihmon qarkullimin në gjymtyrë, edhe gogësima ndihmon qarkullimin në tru.
Efekti “freskues”
Nga kjo ide, Gallup dhe kolegët e tij zhvilluan hipotezën se gogësima ndihmon në rregullimin e temperaturës së trurit.
Temperatura e trurit përcaktohet nga tre faktorë: shpejtësia e rrjedhës së gjakut drejt tij, temperatura e atij gjaku dhe nxehtësia që prodhohet nga aktiviteti neuronal. Gogësima, në teori, mund të ndikojë në dy të parat.
Kur gogësijmë, marrim frymë thellë dhe ajri kalon mbi sipërfaqet e lagështa të gojës, gjuhës dhe hundës, ngjashëm me mënyrën se si ajri kalon përmes radiatorit të makinës, duke larguar nxehtësinë përmes avullimit dhe konvekcionit.
Studimet e kanë vërtetuar këtë: temperatura e ambientit ndikon drejtpërdrejt në shpeshtësinë e gogësimës. Kur është ngrohtë (por jo tepër nxehtë), gogësima rritet; kur temperatura është e ulët, zvogëlohet.
Kjo gjithashtu mund të shpjegojë pse disa gjendje mjekësore shoqërohen me gogësimë të tepruar, sepse ato ose rrisin temperaturën e trurit, ose preken nga barna që ndikojnë në të.
Studimet mbi kafshët kanë treguar se sa më shumë neurone të ketë një tru, aq më e gjatë është gogësima, pavarësisht madhësisë fizike të trurit.
Pse “ngjitet” gogësima te të tjerët?
Fenomeni i njohur si gogësimë ngjitëse ndodh kur një person, apo edhe dikush në ekran – gogësin dhe menjëherë e bëjnë edhe të tjerët.
Disa studiues mendojnë se kjo sjellje ka evoluar për të forcuar lidhjet brenda grupit, duke sinjalizuar gjendje të përbashkëta si lodhje apo gatishmëri. Por ka gjasa që të mos jetë ky qëllimi kryesor, pasi edhe shumë kafshë që jetojnë vetëm gogësijnë.
Sipas Gallupit, është e mundur që gogësima ngjitëse të mos ketë ndonjë funksion të veçantë, por të jetë një pasojë e mekanizmave të ndërlikuar të empatisë dhe neuroneve pasqyrë, që aktivizohen kur shohim dikë të kryejë një veprim.
Kur shohim dikë të gogësijë, aktivizohen neuronet tona pasqyrë, duke na bërë të bëjmë të njëjtën gjë. Megjithatë, gogësima ngjitëse mund të ndihmojë në koordinimin e ritmit të grupit, duke kaluar nga një gjendje pasive në një më aktive ose anasjelltas.
Një studim i vitit 2021 me luanët tregoi se nëse një luan gogësin dhe ngrihet për të ecur, të tjerët e imitojnë. Një sjellje e ngjashme është vërejtur edhe te babunët, ku gogësima përhapet dhe rrit vigjilencën e grupit, ose përkundrazi, ndihmon në qetësimin përpara gjumit.
Përfundimi
Me fjalë të tjera: gogësima është e dobishme për ju dhe ndoshta ndihmon trurin të funksionojë më mirë. Dhe po, nëse jeni përpjekur ta bëni fëmijën tuaj pesëvjeçar të flejë duke gogësitur vetë, mos ndaloni, ka shumë mundësi që ajo “strategji” vërtet funksionon. /Telegrafi/
FIFA nderon Trumpin me Çmimin e Paqes: Lidershipi i tij gara...
Publikohet marrëveshja në letër e Vetëvendosjes me tri parti...
Obiliq: Arrestohet një person për vjedhje të rëndë në pompë ...
KFOR-i forcon aktivitetet në mbështetje të sigurisë në të gj...
Gjobë 500 euro, pikë negative e ndalim i drejtimit të automj...
Dron në shtëpinë e BBVK për Benitën