Vetëm pak minuta pas përfundimit të protestës “Shihemi në Vidovdan” në sheshin Sllavia, në Beograd shpërthyen tensione dhe përleshje mes policisë dhe protestuesve në disa pjesë të qytetit.
Rreth orës 21:45, studentët që për shtatë muaj kanë udhëhequr protestat, thanë se protesta nuk është më vetëm studentore, por qytetare. “Nuk do të ndalemi, kjo është vetëm fillimi për një shoqëri më të mirë. Tani jeni të lirë të veproni, e dini vetë çfarë duhet të bëni”, u tha nga foltorja, teksa turma ndezi flakadanë, raporton e gazeta beogradase ‘Danas’.
Menjëherë më pas, në orën 21:52, ndodhën incidentet e para mes policisë dhe protestuesve.
Situata u përshkallëzua edhe në afërsi të ambasadës së Turqisë, ku u hodhën disa shpërthyes të fuqishëm (të ashtuquajtur “top zhurmues”).
Protestuesit kishin vendosur një afat deri në orën 21:00 që pushteti të plotësonte kërkesat e tyre, si mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe largimi i parkut tematik “Caciland” nga qendra e Beogradit, ku tash e sa muaj mbështetësit e Vuçiqit mblidhen për t’i kundërshtuar protestat studentore.
Studentët e shpallin jolegjitim pushtetin e Vuçiqit, kërkojnë zgjedhje
Pas shtatë muajsh bllokadash dhe organizimesh simbolike, studentët serbë i dhanë fund ultimatumit të tyre për përmbushjen e kërkesave të tyre drejtuar qeverisë me një protestë të paralajmëruar në sheshin Slavia në Beograd, nën moton “Shihemi në Vidovdan”.
Kërkesa e tyre e qartë është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe mbyllja e zonës së kontestuar “Caciland” në qendër të Beogradit.
Protesta nisi në orën 18:00, ndërsa deri në orën 21:00, kur skadoi zyrtarisht ultimatumi i tyre, situata në kryeqytet ndryshoi dinamikë.
Në një postim simbolik në rrjetet sociale, studentët njoftuan: “Ultimatumi ka skaduar”. Ky mesazh shkruhej në një ‘story’ në rrjetet sociale të shoqëruar me një fotografi të një semafori me dritë të gjelbër, një mesazh i qartë për të ecur përpara me veprimet e tyre.
Situata nisi të tensionohej në zonat përreth “Caciland”, ku forcat policore ishin vendosur me pajisje për shpërndarjen e protestuesve, përfshirë gaz lotsjellës. Kordonë policorë u vendosën në rrugët ‘Knez Milosh’, ‘Takovska’ dhe në afërsi të rrugës ‘Kral Milan’, si dhe te kalimi pranë kinemasë “Takwood”.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq në Parkun e Pionierëve dhe iu drejtua mbështetësve të tij që kishin organizuar një “mbrëmje letrare” në kryqëzimin midis Bulevardit ‘Kral Aleksandar’ dhe ‘Knez Milosh’. Ai deklaroi se nuk është në dorën e tyre apo të partive politike nëse do të ketë dhunë gjatë mbrëmjes.
Nga skena e protestës në Slavia, një studente nga Beogradi u bë zëri i protestuesve, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme të drejta parlamentare. Ajo deklaroi se kjo është rruga për të dalë nga kriza sociale që, sipas saj, është krijuar nga pushteti aktual. Ajo përfundoi fjalën me fjalët: “Sot, më 28 qershor 2025, ne e shpallim qeverinë aktuale të paligjshme”./rtk
Kurti dhe Orav flasin për bashkëpunim në kuadër të procesit ...
Spanja, mbështetje për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë...
Arrest shtëpiak ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe ish-dre...
Punëtorët e KEK-ut do të marrin 400 euro bonus
Guerot: Bllokimi i Kuvendit po e dëmton Kosovën
Grealish kërkohet nga kampioni i Italisë