Kompania turke do të ndërtojë autostradën Sarajevë-Beograd

18:19 | 19 Dhjetor 2018

Qeveria e Turqisë dhe ajo e Serbisë kanë nënshkruar një marrëveshje prej 285 milionë dollarësh për ndërtimin e autostradës Sarajevë-Beograd, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Mehmet Cahit Turhan, zhvilloi një takim bilateral në Beograd të Serbisë me homologen e tij serbe, Zorana Mihajloviç.

Ministrat e të dy vendeve diskutuan mbi projektin e autostradës që do të lidhë dy kryeqytetet, atë të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në takimet dhe ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë edhe zv/kryeministri serb, Rasim Ljajiç, ambasadori turk në Beograd, Tanju Bilgiç, kreu i kompanisë Taşyapi, Emrullah Turanlı, si dhe kreu i Rrugëve të Ndërmarrjeve Publike në Serbi, Zoran Drobnjak.

“Vetëm pak njerëz besonin se ky projekt i autostradës mund të zbatohej, sepse është një projekt shumë i shtrenjtë. Por sot, e pamundura u bë e mundur dhe projekti u nënshkrua”, tha Ljajiç.

Ndërkq, ministri Turhan tha se marrëveshja luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve të të dy vendeve, si dhe shtoi se, “Kjo marrëveshje e nënshkruar sot është një fillim shumë i rëndësishëm midis dy vendeve. Turqia i jep rëndësi të madhe Serbisë për stabilitetin e rajonit”.

Ai shpjegoi rolin e autostradës si një garanci për paqen në rajon.

“Projektet e infrastrukturës rrugore jo vetëm që kontribuojnë në një vend të vetëm, por kontribuojnë në të gjithë industrinë, ekonominë dhe turizmin e rajonit. Në veçanti, rrugët që kalojnë nëpër Serbi luajnë një rol ndërkufitar midis Evropës dhe Azisë”, deklaroi Turhan.

Ministrja Mihajlloviç, nga ana e saj, theksoi se të dy vendet mbështesin zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mirë që tashmë ekziston si dhe për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ajo tha se rrugët nuk janë vetëm rrugë, por janë edhe marrëdhënie politike dhe ekonomike.

“Rrugët po ashtu nënkuptojnë stabilitet. Nuk ka diçka më të rëndësishme se ndërlidhja në Ballkanin Perëndimor. Serbia ka shumë fqinjë dhe ne duam të lidhemi me të gjithë ata”, tha Mihajlloviç.

Në ceremoni u nënshkruan edhe dy marrëveshje për ndërtimin e rezidencave për forcat e sigurisë në Vranje dhe Nish.

Projekti i autostradës Sarajevë-Beograd u soll mbi dy vjet më parë, por kaloi një pengesë kur institucionet relevante nuk mundeshin të bien dakord për një itinerar. Mosmarrëveshja mbi rrugën atëherë solli 16 rrugë të mundshme në tryezë.

Përderisa Serbia dëshironte që autostrada të kalojë nëpër Bosnjën lindore, pala boshnjake dëshironte që ajo të lëvizte në Bosnjën verilindore.

Megjithatë, mosmarrëveshja mbi rrugën përfundoi pas një takimi në Turqi midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe ish-anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç.

Si rrjedhojë, me mbështetjen e presidentit Erdoğan, propozimet e të dyja palëve u pranuan, pas së cilës u arrit një marrëveshje për ndërtimin e autostradës ndërmjet dy rrugëve të ndryshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara