Për momentin gjithçka mbetet në nivel spekulimesh. Askush nuk e di me siguri se kush është “galaktiku” për të cilin Florentino Perez po përgatit një ofertë rekord prej 150 milionë eurosh.
Nga Vitinha te Michael Olise, emra të shumtë janë përfolur si objektiva të Real Madridit, ndërsa së fundmi në listë është shfaqur edhe sulmuesi i Atletico Madridit, Julián Álvarez.
Sipas raportimeve nga Spanja, operacioni i madh i Florentino Perezit është ftohur disi në orët e fundit. Jo sepse presidenti i Real Madridit ka ndryshuar mendje, por për shkak se Bayern Munichu dhe Paris Saint-Germaini nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga yjet e tyre.
Në këtë situatë ka dalë në skenë emri i Julián Álvarezit, një transferim që do të kishte ndikim të madh jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në rivalitetin me Barcelonën. Klubi katalanas raportohet se prej muajsh është në kontakt me rrethin e sulmuesit argjentinas dhe e dëshiron atë në “Camp Nou”.
Megjithatë, agjenti i lojtarit, Fernando Hidalgo, ka mohuar kontaktet me Real Madridin.
“Askush nuk është vënë në kontakt me ne për këtë çështje. Nuk kemi asnjë informacion në lidhje me këtë”, deklaroi ai për “365Scores”.
Edhe gazetari i njohur Fabrizio Romano ka tentuar të marrë informacione nga palët e përfshira, por sipas tij përgjigjja ka qenë e njëjtë nga të gjithë: “Nuk komentojmë”.
Ndryshe nga PSG-ja dhe Bayern Munichu, Atletico Madridi thuhet se është i gatshëm të dëgjojë oferta për sulmuesin argjentinas. Megjithatë, klubi madrilen do të kërkonte një shumë mes 130 dhe 150 milionë eurove për të lejuar largimin e tij.
Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e Julián Álvarezit në treg është rreth 100 milionë euro.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme, ndërsa trajneri i ri i Real Madridit, José Mourinho, pritet të ketë rol të rëndësishëm në vendimin final për transferimin e madh që po planifikon Florentino Perez.
Ndërkohë, dy afrimet e para tashmë konsiderohen të mbyllura. Ibrahima Konaté dhe Denzel Dumfries pritet të zyrtarizohen nga klubi gjatë kësaj jave.
Tifozët e Real Madridit vazhdojnë të presin me padurim zbulimin e identitetit të futbollistit për të cilin Florentino Perez premtoi një ofertë historike në intervistën e tij te emisioni “Horizonte”.
Nëse transferimi realizohet për shumën e përfolur prej të paktën 150 milionë eurosh, ai do të bëhej blerja më e shtrenjtë në historinë e Real Madridit, duke lënë pas Jude Bellinghamin dhe Eden Hazardin.
Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për klubin madrilen, i cili synon të rikthehet në majat e futbollit evropian pas dy sezoneve zhgënjyese./Arbresh.info
Objektivi i parë i Iraolës në krye të Liverpoolit është ish-...
KE: Projekti në Zvërnec mund të ndikojë në rrugën e Shqipëri...
Thellohet bilanci, 32 të vdekur dhe 200 të lënduar nga tërme...
KQZ jep detaje se kur mund të certifikohen rezultatet zgjedh...
Reali iu ofrua Gvardiolit, Man City i ofron kontratë të re
KQZ nis numërimin e votave për kandidatët në 38 qendra komun...