Zemaj i reagon ministrit Vitia për vaksinat: Një Qeveri e cila nuk di se si të sillet në oborrin e vet

19:48 | 16 Prill 2021

Ish-ministri Shëndetësisë, Armend Zemaj ka reaguar pas raportimit se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk ka nënshkruar kontratë me Pfizer-in për sigurimin e vaksinave anti-Covid-19.

Zemaj, përmes një postimi në Facebook, shkruan se kapaciteti për udhëheqje tregohet në pozitë, parullat politike nuk janë funksionale po nuk pate dije, përkushtim dhe motiv për t’i dalë zot vendit në situata emergjente.

“Një Qeveri e cila nuk di se si të sillet në oborrin e vet dhe kërkon dije e hapësirë veprimi në kojshi, çka mundesh më shumë me pritë në pandemi, përpos dështim. Dështim për vaksina, me shumë se dhjetëra jetë të humbura çdo ditë nga Covid-19, numër i madh i të infektuarve, ulje e numrit të testeve, masa politike ku i mbyll qytetarët pa asnjë strategji, deklarata populliste por jo konsultim me profesionistët e fushës”, shkruan Zemaj.

Ai thotë se duket e pabesueshme vonesa e nënshkrimit të një kontrate, e cila është hartuar në pajtim me ligjin dhe situatën e pandemisë.

“Më duket e pabesueshme që duhet të shkaktohen vonesa për nënshkrim të një kontrate e cila është hartuar në pajtim me ligjin dhe situatën e pandemisë. Do të ishte tepër dëshpëruese nëse kemi vonesa një minutë, lëre më një ditë, apo vonesa me muaj. Shëndeti i qytetarëve mbrohet me vaksina, jo me parulla politike. E pabesueshme çka mund të ndodhë”, thotë ish-ministri Zemaj.

Ndërkohë, ministri Vitia ka paralajmëruar një konferencë për media rreth kësaj çështje. Konferenca urgjente do të mbahet sonte në ora 20:45 në Ministrinë e Shëndetësisë./arbresh.info/

LEXO EDHE

Ministri Vitia thërret konferencë urgjente – Arbresh.info

Lajmet më të lexuara