“VisaMetric” e respekton vendimin e Gjykatës Komerciale, s’është më obligim pagesa prej 30 eurosh për shërbim postar

14:50 | 17 Maj 2023
Gita

Kompania e kontraktuar nga Ambasada gjermane “VisaMetric” i është dorëzuar vendimit të Gjykatës Komerciale, e cila ia ka ndaluar që të detyrojë aplikantët të paguajnë 30 euro shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Kjo kompani, tashmë po pyet qytetarët nëse duan të paguajnë shumën prej 30 eurove për shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat e tyre, apo duan të shkojnë t’i marrin vetë.

Nëse ata duan që dokumentet të shkojnë t’i marrin vetë, nuk janë të detyruar të paguajnë asgjë, nëse po, atëherë ata duhet të paguajnë nga 30 euro për shërbimin postar.

Njëri nga qytetarët që po aplikonte për vizë gjermane, tregon se zyrtarja e kompanisë “VisaMetric” gjatë aplikimit i ka bërë pyetje, a dëshironi që t’ua sjellim dokumentet dhe pasaportën në shtëpi? Nëse po, atëherë duhet të paguani 30 euro, nëse vini dhe e merrni tek kompania nuk keni nevojë për pagesë.

Ndërsa kjo aplikuese për vizë thotë se sot i ka marrë dokumentet dhe pasaportën vetë fizikisht. Mirëpo, ka bërë edhe një kërkesë të cilën ia kanë prezantuar zyrtarët e kompanisë, që në llogarinë bankare t’i kthehen 30 eurot e paguara.

Ndryshe, Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “Visametric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, pagesë kjo në vlerë prej 30 euro.

Po ashtu, Gjykata përmes vendimit të datës 15 mars ka obliguar këtë kompani që t’ua lejojë qytetarëve që të mund t’i tërheqin pasaportat e tyre edhe fizikisht, në zyrat e tyre, përderisa deri më tani, kjo gjë nuk është mundësuar.

“VisaMetric” është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës./Arbresh.info/ Pleurat Salihu/

Të ngjashme