Veseli: Javën e ardhshme do të iniciojmë krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e listave të veteranëve

14:32 | 9 Qershor 2019

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë iniciativë për krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin që do të hetoj dyshimet për mashtrimet në listat e veteranëve, raporton arbresh.info.

Kështu ka bërë të ditur vet kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Kadri Veseli në një konferencë për media.

Veseli ka paralajmëruar se Grupi Parlamentar i kësaj partie javën e ardhshme do të iniciojnë krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e listave të veteranëve, të cilat dyshohen të jenë fry.

“Javën që vjen PDK do të nis një tjetër iniciativë legjitime në vazhdën e adresimeve të shqetësimeve publike, statuset e veteranëve të luftës për të cilat ka dyshime se janë nda pa merita. Shumica e komandantëve të luftës kanë folur dhe kanë shprehur shqetësimet e tyre serioze për këtë çështje, sot jam këtu për ta ruajtur emrin dhe reputacionin e vërtet të UCK-së.  Njollosja e emrit të UCK-së , e luftëtarëve të lirisë, shpesh për shkak të disave që synojnë përfitime personale, na ka lënduar të gjithëve. Jo rrallë janë fyer luftëtarët e lirisë, për ne qoftë abuzimi me statusin e luftëtarit të lirisë, qoftë fyerja janë të rënda dhe zor të pranueshme”, ka thënë Veseli.

Ai pranoj faktin se jo pak njerëz në nivele të larta, përfshirë edhe ata nga ish-UÇK-ja, për shumë vjet pas lufte kanë abuzuar dhe po abuzojnë me fuqinë e tyre. Kjo sipas tij, duhet të marr fund.

“Zemërimi im që buron nga përfshirja e mashtruesve në listat e veteranëve, të cilat janë bërë nga disa komandant abuzues, është arsyeja që më shtyn të flas dhe të veproj. Duhet ta pranojmë faktin se jo pak njerëz në nivele të larta, edhe nga ish-UCK-ja për shumë vjet pas lufte kanë abuzuar dhe po abuzojnë me fuqinë e tyre. Kjo duhet të marr fund. Këta njerëz më së shumti e kanë dëmtuar reputacionin e UCK-së, kanë bërë që shumë njerëz të mendojnë se luftëtarët e vërtet të UCK-së kanë bërë atë që kanë bërë me qëllim vetëm për të përfituar”, u shpreh ai.

Ai tha se nuk mund të rri indiferent ndaj këtyre mashtrimeve.

“Kjo nuk është e vërtet, është po aq e rreme, sa po ata mijëra mashtrues që paraqiten sot si veteranë. Si një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UCK), unë nuk mund të rri indiferent karshi mashtrimeve që ndodhin në emrin e UCK-së. Prandaj, përmes Grupit Parlamentar të PDK-së, javën e ardhshme ne do të iniciojmë krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar, që do të hetoj dyshimet për mashtrimet në listat e veteranëve”, u shpreh Veseli .

Sipas Veselit, Komisioni i vjetër Qeveritar si dhe i riu do të ftohen nga ky Komision Hetimor Parlamentar, do të kërkohet të dorëzohen listat e veteranëve, të dhënat e pranimit ose të refuzimit të deritashëm të kërkesave për statusin e veteranit, kriteret e përzgjedhjes, si dhe numri i ushtarëve dhe komandantëve në njësi dhe zona operative.

Po ashtu sipas tij, do të kërkohet ballafaqim me fakte, dëshmi të mbledhura dhe individ.

“Ky Komision Hetimor Parlamentar me punën e tij do të siguroj që buxheti i Republikës së Kosovës nuk do të dëmtohet me dhjetëra milion euro. Këto janë para të qytetarëve të Kosovës, të cilat nuk duhet të shpenzohen për veteranë mashtrues”, ka thënë Veseli.

Ndërsa sa i përket krijimit të Tribunalit për krimet serbe të kryera në Kosovë, Veseli tha se ky Tribunal është i pashmangshëm dhe do të ndodh./Arbresh.info

Lajmet më të lexuara