Veliu diskuton situatën politike në vend

18:14 | 18 Janar 2016
M. A.

Një gjimnaz në Podujevë sot nuk ka mbajtur mësim sepse mungonte ngrohja. Po ashtu në këto ditë dimri dhe me temperatura të larta shumë fshatra të kësaj komune janë bllokuar nga bora.

Të vetmet që janë pastruar janë rruga kryesore e qytetit si dhe magjistralja Podujevë-Prishtinë.

Por kryetari i kësaj komune ka gjetur kohë që të mbajë mbledhje me Kryesinë e degës së LDK-së në këtë komunë ku është folur edhe për situatën politike në vend.

Komunikata e degës së LDK-së në Podujevë

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë ka mbajtur sot një takim të përbashkët informues dhe konsultativ me delegatët e kësaj dege në Kuvendin Qendror të LDK-së.

Në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë me delegatët e Kuvendit Qendror të LDK-së, të cilën e udhëhoqi kryetari i degës, Agim Veliu, është biseduar për plotësimet dhe ndryshimet e Statutit të LDK-së dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Kryetari Veliu informoi anëtarët e Kryesisë dhe delegatët lidhur me propozimet e bëra për plotësimin dhe ndryshimet në Statutin e LDK-së.

“Komisioni për plotësimin dhe ndryshimet e Statutit të LDK-së ka mbajtur disa takime dhe tashmë ka dalë me disa propozime për plotësime dhe ndryshime. Aktualisht jemi duke mbajtur takime rajonale me degët e LDK-së, ku po diskutohen këto plotësime dhe po marrim propozime nga anëtarësia”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu tha se pas përfundimit të takimeve rajonale do të mbahet Kuvendi i LDK-së, ku do të miratohen plotësimet dhe ndryshimet në Statutin e LDK-së.

Kryetari Veliu tha se të mërkurën më 20 janar do të mbahet takimi rajonal i Prishtinës, ku do të marrë pjesë edhe Dega e LDK-së e Podujevës.

Përveç çështjeve që kanë të bëjnë me plotësimet dhe ndryshimet e Statutit të LDK-së, në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale politike në vend.

Kryetari Veliu gjithashtu informoi të pranishmit se Lidhja Demokratike e Kosovës, më 21 janar do të mbajë një manifestim përkujtimor, për shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së kryetarit të LDK-së dhe presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova

Shpërndaje në rrjete sociale