Thirrja për ndihmë u kthye në tragjedi- Çfarë dihet deri tash rreth vdekjes së dyshimtë të 27 vjeçarit në Lipjan

14:14 | 8 Korrik 2025
E.K

Në mbrëmjen e 7 korrikut, Lipjani u trondit nga një ngjarje që ka lënë pas vetes dhimbje, zemërim dhe shumë pikëpyetje.

27-vjeçari Agon Zejnullahu humbi jetën pas një ndërhyrjeje policore që nisi si një thirrje për ndihmë dhe përfundoi me një trup të pajetë në tokë. Por, se çfarë ndodhi në ato minuta të errëta ende mbetet subjekt hetimi, raporton Arbresh.info.

Pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa rasti është iniciuar si vdekje e dyshimtë.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 00:15, autoritetet ndërhynë pas raportimeve se Zejnullahu po sulmonte kalimtarët me veturë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Gjatë ndërhyrjes, të dyshuarit iu vendosën prangat, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.

Përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor në vendngjarje, 27-vjeçari ndërroi jetë aty.

Pas incidentit, Inspektorati Policor i Kosovës hapi hetim të menjëhershëm dhe rekomandoi suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rast – një rreshter dhe katër policë patrullues.

Prokuroria Themelore në Prishtinë urdhëroi arrestimin e tyre dhe caktimin e masës së ndalimit 48-orësh.

Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë shprehur dyshime serioze për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë.

Vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka deklaruar për media se “dora e shtetit na e ka vra”, duke kërkuar drejtësi dhe hetim të plotë të rastit.

Ndërkohe në media është raportuar se sipas raportit preliminar te mjekësisë ligjore konstatohet në përgjithësi, se përtej gjendjes paraprake që kishte 27 vjeçari para se të prangosej nga policët, tashmë të suspenduar e nën masën e ndalimit, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.

Ngjarja ka nxitur reagime të shumta publike dhe ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për mënyrën e trajtimit të rasteve nga ana e zyrtarëve policorë, si dhe për cilësinë dhe kohëzgjatjen e trajnimeve të tyre.

Figura nga fusha e drejtësisë, gazetarisë dhe organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi profesionalizmin dhe përgjegjësinë institucionale në këtë rast.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka ngritur shqetësime për kohen e përgatitjes dhe përgjegjësisë profesionale të zyrtarëve policorë të përfshirë në rast, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit institucionalë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në anën tjetër, edhe gazetari Ilir Mirena ka reaguar ndaj rastit, duke e krahasuar atë me rastin e George Floyd në Shtetet e Bashkuara. Ai ka theksuar se 27-vjeçari nuk ka merituar të humbasë jetën në duart e policisë së Kosovës, duke ngritur shqetësime për mënyrën e përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve policorë.

Ndërkohë, i ndjeri Agon Zejnullahu është varrosur të hënën, më 8 korrik, në orën 19:00, në varrezat e fshatit Banullë të komunës së Lipjanit./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme