Google ADS

Testi i Arritshmërisë| Nxënësit do t’i bartin pasojat e grevës, s’priten rezultate të mira

09:42 | 17 Maj 2023
A Z

Ministria e Arsimit është në fazën finale të përgatitjeve për testim e Arritshmërisë që do të mbahet me 4 dhe 11 korrik.

Në një përgjigje nga kjo ministri për Arbresh.info bëhet e ditur se rreth 24 mijë nxënës  do t’i nënshtrohen këtij testi.

“Gjuhë amtare dhe Histori e Gjeografi kurse me 11 korrik në lëndët: Matematikë, Fizikë, Kimi e Biologji. MASHTI është në fazën finale të përgatitjeve të instrumenteve të vlerësimit”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.

Por sa e kanë bërë mësimdhënësit punën e tyre gjatë kësaj periudhe kohore, njohësit e arsimit thonë se lënë shumë për të dëshiruar.

Osmankaq: Këtë vit nxënësit do t’i bartin pasojat e grevave

Salie Osmankaq, njohëse e çështjeve të arsimit mendon se sivjet do të jetë më ndryshe pasi kanë ndikuar edhe grevat  dhe pandemia.

“Sikur çdo vit, edhe sivjet gjysmëmaturantët do t’i nënshtrohen testit të Arritshmerisë, por ndryshe nga disa vite me parë, sivjet pritet se do të ndihen pasojat e pandemisë dhe grevat, si asnjëherë me parë, duke reflektuar në rezultate jo të kënaqshme”, tha ajo për Arbresh.info

Tutje ajo thotë se nxënësit janë ata që do t’i bartin më së shumti pasojat e grevave të çdovitshme, dhe kohën e pandemisë, pasi gjatë asaj kohe mësimi ka qenë më tepër formal sesa cilësor.

“Pyetjet e testeve me tepër koncentrohen në arritjet e shkollimit të mesëm të ulët, pra të klasave 6-9. Kjo gjeneratë e nxënësve që së shpejti do t’i nënshtrohen testit të Arritshmerise, i kanë pasur sfiduese vitet e shkollimit të mesëm të ulët. Ata, padrejtësisht do të bartin mbi supe pasojat e grevave të cdovitshme të mësimdhënësve me ndërprerje të mësimit, si dhe pasojat e shkollimit në vitet e pandemisë, ku të dyja rastet mësimi pothuajse ka qenë me tepër formal, sesa cilësor”, shprehet ajo.

Sipas Osmankaq as zëvendësimi i ditëve të humbura nuk ishte efikas, pasi shumë prej shkollave as nuk e respektonin vendimin për të zëvendësuar orët e humbura, që zakonisht mbahen të shtunave.

Osmani: Mësimdhënësit kanë bërë angazhimin adekuat, por kemi kaluar një vit të vështirë shkollor me greva

Edhe njohësi tjetër i arsimit, Argjend Osmani thotë se nuk ka munguar angazhimi i mësimdhënësve, por ky vit ishte me greva e pakënaqësi të shumta.

“Mendojë se nuk ka munguar puna e mësimdhënësve dhe angazhimi adekuat i tyre. Duhet pasur parasysh se kemi kaluar një vit të vështirë shkollor, me greva, pakënaqësi e humbje të orëve të mësimit”, tha ai për Arbresh.info

Osmani thotë se të gjitha këto do të lenë gjurmë edhe në rezultatet përfundimtare të nxënësve.

Testi Shtetëror dhe Testi i Arritshmërisë në Kosovë, si formë e vlerësimit të matjes së njohurive të nxënësve

Testit të Maturës dhe atij të Arritshmërisë çdo vit i nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të, të arsimit të lartë, respektivisht nxënësit e klasës se 9-të, të arsimit të mesëm.

Përfundimi me sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për studime në universitet, respektivisht në shkollë të mesme./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

 

 

Të ngjashme