Tensione në Aeroportin e Vlorës, Pacolli: Punëtorët përballen me kufizim lëvizjeje dhe presion nga Policia e Shtetit

11:37 | 21 Maj 2026
E.H

Kanë vazhduar edhe sot tensionet mes punëtorëve të MABCO-s dhe Policisë së Shtetit, në lidhje me ndërprerjen e punimeve në Aeroportin e Vlorës.

Në lidhje me këtë, ka reaguar ish-presidenti i Kosovës njëherësh pronari i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli i cili ka ngritur shqetësime lidhur me veprimet e Policisë së Shtetit në një zonë pune, duke theksuar se po pengohet qasja e profesionistëve dhe punëtorëve në vendet e tyre të punës.

“Mes tyre ndodhen edhe mbi 50 specialistë nga Kina, të cilët aktualisht gjenden në konviktin e punëtorëve të Mabcos, brenda perimetrit të rrethuar me tela, me liri lëvizjeje të kufizuar, madje edhe për nevoja bazike si furnizimi me ushqim dhe medikamente. Ata po jetojnë të frikësuar dhe në një gjendje presioni të vazhdueshëm psikologjik”, ka shkruar Pacolli në reagimin e tij.

Pacolli ka deklaruar se këta punëtorë po përballen me presion psikologjik dhe se nuk po lejohen të kenë qasje në pajisjet dhe sendet e tyre personale që ndodhen në ambientet e punës.

Ai e ka cilësuar situatën si të papranueshme dhe ka kërkuar sqarim të menjëhershëm institucional, përgjegjësi dhe garantim të lirisë së lëvizjes dhe të drejtës për punë për të gjithë të përfshirët.

“Këta njerëz nuk kanë as mundësinë të kujdesen për sendet dhe pajisjet e tyre personale e profesionale, të cilat ndodhen në ndërtesën e Terminalit. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe i papranueshëm, por ngre dyshime serioze për abuzim me autoritetin shtetëror dhe për përdorimin e Policisë së Shtetit jashtë misionit të saj ligjor”, tha Pacolli.

“Policia nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si instrument presioni ndaj punëtorëve, specialistëve dhe profesionistëve që kërkojnë thjesht të ushtrojnë detyrën e tyre. Kur uniforma shtetërore vihet në shërbim të interesave të errëta, cenohet jo vetëm e drejta e individit, por edhe besimi i qytetarëve te shteti dhe drejtësia. Kjo situatë kërkon sqarim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale dhe ndërhyrje të ligjshme për të garantuar lirinë e lëvizjes, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për punë të çdo personi të përfshirë”, u shpreh në fund Pacolli./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Përplasjet për Aeroportin e Vlorës, përfaqësuesi ligjor: Policia po pengon hyrjen

Shpërndaje në rrjete sociale