Të zhytur në borxhe për t’u shëruar, kërkohen para edhe për ata që e kaluan Covid19

14:10 | 3 Maj 2021

“Unë e kam gjendjen pak të rëndë financiare, se jam met dy javë mshel, vetëm një herë mkan pru një thes miell edhe ni pako diçka ushqimore, Komuna e Gjilanit”.

Selver Cakolli banor i Gjilanit, kryefamiljar i vetëm i punësuar, nga dëshpërimi dhe gjendja ekonomike jo e mirë e krijuar në këtë pandemi, e ka detyruar atë që të nxë derën e Qeverisë.

Ai ishte ulur para dyerve të Qeverisë së Kosovës  ku po priste që dikush  t’i ndihmonte pasi që nga kjo situatë ai ishte zhytur në borxhe për tu shëruar nga Covid-19.

“Paret i kom marr neper sebepe do, do çka mi kanë dhanë dikush mi ka pagu, do mi kanë ble motrat kaniher një terapi po te shtrenjta shumë. Unë jam kanë në komunë kesh te drejtori i shëndetësisë atje në Gjilan, tha Qeveria si ka nda hala ska leshu buxhet e kur të lëshon buxhet tani mundemi me ba diçka”, tha Cakolli.

Cakolli po ashtu gjatë periudhës së shërimit të tij në Komunën e Gjilanit, u ankua se mjekët të cilët ishin aty e kishin neglizhuar.

“Shërbimi mjekësor pak duhet me pas njëfarë kontrolle, mu mka ndodh personalisht kam qenë me kovid në atë kohë edhe tensionin e kam pasur shumë të lartë, kam shku në infektiv edhe më kanë thanë na për tension nuk kemi kthehu në emergjencë, jam kthy në emergjencë ata më kanë thanë këtu ski drejt. Unë skam ditë ku me shku më kanë kthyer prap pesë herë poshtë nalt tani kur jam kthy prap ma kanë dhanë një nekci për dhimt e unë skisha pas dhimt, kom njet atu pesë orë prap shtypja nuk më ka zbrit edhe kam shku te fëmijët, por prap jam kthy në infektiv edhe të njëjtat gjëra prap mi kanë ba”, deklaroi Cakolli.

Për Cakollin shpresa e tij e vetëm ishte tanimë vetëm Qeveria.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, thotë se deri në pesë mijë euro ju ka kushtuar pacientëve trajtimi me Covid19.

Kërkon nga Qeveria që të subvencionohen edhe pacientët që tashmë kanë kaluar Covidin.

Barnat nuk kanë qenë e vetmja mungesë në këtë kohë pandemie pasi që qytetarët sipas Kodrës janë përballur edhe me mungesë të gjerave të tjera esenciale e po ashtu edhe aparaturave.

“Barnat kanë qenë njëra prej problemeve, aparaturat kanë qenë problem, e po ashtu edhe gjërat e tjera që pacientët është dashur t’i blejnë dhe ata kanë pasur vetëm shërbimin e mjekut dhe infermierit “, deklaron Kodra.

Arbresh.info ka tentuar të marr përgjigjeje edhe nga Ministria e Financave nëse janë të duke punuar që tu bëjnë ndonjë kompensim qytetarëve, por ata kanë vendosur të mos japin përgjigjeje.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej  93.079 raste, e shuma për tu shëruar sipas qytetarëve ka shkuar në shifra të pa përballueshme./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara