Të hënën jepet aktgjykimi ndaj Darko Tasiq, i akuzuar për krime lufte në Krushë të Vogël

16:55 | 17 Qershor 2020

Gjykata Themelore në Prizren pritet që të hënën të shpall aktgjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në fshatin Krushë të Vogël.

Sipas njoftimi të kësaj gjykate, shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Darko Tasiq pritet të bëhet në orët e pasdites në njërën nga sallat e gjykatës.

“Në Gjykatën Themelore të Prizrenit me datën 17.06.2020 në sallën nr.1 të gjykimeve është mbajtur seanca e fundit në gjykimin e Darko Tasiq  i akuzuar për krime lufte në Krushë të Vogël të Prizrenit. Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 22.06.2020 në ora 13:30 minuta  në njërën prej sallave të gjykimit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv/arbresh.info

Lajmet më të lexuara