Tahiri: Janë dy opsione për të nxjerrë Telekomin nga kriza, anëtarët e Bordit janë përzgjedhur përmes CV’ve

00:03 | 25 Korrik 2020

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se  ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi të hënën do të prezantojë dy opsione të cilat do ta nxjerrin Telekomin nga kriza.

Ai ka thënë se Kuçi do të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për Telekomin, duke shtuar se kjo ndërmarrje nuk do të falimentojë.

Tahiri ka thënë se gjendja e tanishme është një barrë e madhe për Qeverinë dhe ministrin.

“Nuk do të ketë falimentim dhe do të ketë një reagim të shpejtë të hënën. Ministri Kuçi do të prezantojë para kryeministrit dhe Qeverisë një varg rekomandimesh për intervenim të shpejtë. Janë dy opsione që i diskutova sot dhe dyjat janë intervenime të shpejta. Po flasim për një aset i cili ka një numër të madh të shërbimeve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Qeveria duhet t’iu dalë zot punëtorëve të cilët rrezikohen nga falimenti i Telekomit.

Sipas tij, rekomandimet nga Kuçi do të ndërlidhen me regjenerimin financiar dhe marrjen e përgjegjësisë si shtet ndaj kësaj ndërmarrje.

“Se a do të jetë plani për marrjen e një huaje afatgjate apo ndonjë formë tjetër me ndonjë menaxhment të huaj nuk mund të them”, ka thënë ai.

Tahiri në Interkativ të KTV’së ka thënë se emrat e anëtarëve të ri të bordit të Telekomit nuk janë të lidhur me politikën.

“Po është e vërtetë se sot kemi votuar në mënyrë elektronike për anëtarët e Bordit të Përkohshëm të Telekomi. Në fakt është lajm i mirë që nuk i njohim dhe i bie që nuk janë figura politike. Para se të vijë këtu bisedova me ministrin Kuçi dhe ajo çka ka ndodhur është që ministria e Ekonomisë që është përgjegjëse i ka marrë CV-ja e tyre dhe i kanë përzgjedhë këta katër persona”, ka thënë ai.

Tahiri ka shtuar se Qeveria si aksionare kryesore nuk ka mundësi ta lë një korporatë si Telekomi pa bord.

Ai ka thënë se përzgjedhja e këtyre anëtarëve është bërë përmes CV’ve./expres/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara