Sveçla: Kosova do ta qëndrojë krah Ukrainës deri në fitoren përfundimtare të saj

22:21 | 24 Shkurt 2025
E.G

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë nuk e ka cënuar në çdo formë vetëm këtë të fundit por edhe paqen në mbarë botën.

Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se Republika e Kosovës qëndroi për 3 vite përkrah Ukrainës e kundër Rusisë dhe këtë do ta bëjmë deri në fitoren përfundimtare të saj, shkruan Arbresh.info.

“Prej tre vitesh që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë, mbarë bota njohu qëndresën e palëkundur e rezistencën e vazhdueshme të popullit ukrainas për të mos u dorëzuar në asnjë formë përballë regjimit autokratik të Vladimir Putinit.
Lufta e nisur si sot tre vite më parë nga Rusia me qëllim të pushtimit të Ukrainës së lirë, të pavarur e sovrane nuk e ka cënuar në çdo formë vetëm këtë të fundit por edhe paqen në mbarë botën.”, ka shkruar ai.

“Politikave të tilla territoriale që i mbanë gjallë jo vetëm regjimi i Putinit por edhe satelitët e saj jo më larg se në rajonin tonë, i përgjigjemi me bashkërendim e bashkëpunim me shtetet demokratike, që njohin sovranitet e integritet territorial të shteteve të pavarura e të drejta elementare njerëzore të popujve të tyre. Të organizuar në të njejtën linjë e në të njejtën kohë me shtetet demokratike nga mbarë bota, Republika e Kosovës qëndroi për 3 vite përkrah Ukrainës e kundër Rusisë dhe këtë do ta bëjmë deri në fitoren përfundimtare të saj.”, shtoi Sveçla./Arbresh.info/