Google ADS

Skandal/ Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë nuk posedon fasha, detyron pacientët t’i blejnë, Ministria dhe SHSKUK heshtin

09:00 | 18 Maj 2024
K.B

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë nuk ka as gjërat elementare për trajtimin e pacientëve.

Ky spital nuk ka as fasha për lidhjen e plagëve të qytetarëve që marrin trajtim urgjent aty, duke u kërkuar atyre t’i blejnë vetë këto produkte.

Arbresh.info rreth 1 javë ka pritur për përgjigje nga Spitali “Isa Grezda”, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) dhe nga

Ministria e Shëndetësisë për të mësuar pse ky spital nuk ka as produktet esenciale, mirëpo nuk ka marrë asnjë përgjigje nga asnjëra prej këtyre institucioneve.

Jo vetëm mungesa e fashave, por edhe e produkteve tjera esenciale, sipas njohësve të çështjeve të shëndetësisë është shqetësuese për këtë dikaster.

Ata thonë se mungesa e produkteve esenciale, siç janë barnat dhe materialet medicinale, mos trajtimi i duhur i pacientëve, jo vetëm në këtë spital, por në të gjitha spitalet shtetërore në vend, janë pasojë e keqmenaxhimit të këtij dikasteri.

Haxhiu: Mungesa e furnizimi me materiale medicinale ndodhë për shkak te keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu pohon se ani pse është proklamuar rritja e buxhetit për shëndetësi, furnizimi me barna dhe materiale esenciale mungon.

“Unë në vazhdimësi i kam ngritur këto shqetësime. Ndonëse proklamohet rritja e buxhetit për shëndetësi, mungesa në furnizime me barna dhe material medicinal vazhdojnë të jenë prezentë”, shprehet Haxhiu për Arbresh.info.

Krejt këto mungesa të materilait medicinal, sipas tij, po ndodhin për shkak të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve.

Përfitues të këtyre dështimeve të shërbimeve shëndetësore, sipas Haxhiut, janë kompanitë e lidhur me pushtetin.

“Kjo ndodhë për shkak te keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit, të cilat i ka evidentuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit ne raportet e saj. Përfitues janë kompani të lidhura me pushtetin, ndërsa humbës janë pacientet. Kur zhvatet buxheti i shteti pacientet duhet te blejnë vet fashat, gjilpëra, banat etj”, thotë Haxhiu.

Ish-ministri Zemaj: Qeverisje mjerane që vë në lojë jetët e pacientëve

Në anën tjetër ish-ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet i LDK-së, Armend Zemaj, e quan mjerane qeverisjen aktuale, duke shtuar se nuk ka ndjeshmëri politike e njerëzore.

Sipas tij, që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet, shëndetësia është në kaos.

“Gjatë gjithë kohës prej që VV ka ardhur në pushtet, shëndetësia është karakterizuar nga një mënyrë kaotike e menaxhimit, deri edhe në gjërat elementare, pra, mungesa e fashave, e penjve. Kjo në fakt flet për mentalitetin e një qeverie jokompetente, të papërvoje, por mbi me të gjitha për pandjeshmërinë e tyre, politike e njerëzore”, thotë Zemaj për Arbresh.info.

Deputeti i LDK-së e quan qeverisje mjerane qeverinë aktuale, duke thënë se po vë në lojë jetën e pacientëve.

“Tash keni parasysh kur nuk arrijnë të sigurojnë edhe gjanat më elementare, imagjino të presim prej tyre që të menaxhojnë ndonjë projekt më të madh, ky është dështim i madh, i pafalshëm dhe po flasim për kohën kur qeveria e paaftë e VV-së krenohet me buxhetin e rritur për shëndetësi. Qeverisje mjerane që vë në lojë jetët e pacientëve, që kërkojnë shërim në spitalet e Kosovës”, shprehet Zemaj.

Ministri Vita ishte krenuar me rritjen e buxhetit për shëndetësi për vitin 2024

Ndryshe, raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023 ka vlerësuar pak progres në politikat dhe avancimin e shëndetësisë publike. Sipas Raportit, cilësia e kujdesit shëndetësor mbetet shqetësuese. Qeveria nuk ka avancuar legjislacionin dhe nuk është punuar në promovim dhe parandalim.

Ndërkohë, buxheti për vitin 2024 për sektorin e shëndetësisë është 340 milionë euro përfshirë edhe grantin për komunat, kurse ShSKUK është paraparë të ketë 25% më shumë buxhet.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas votimit të buxhetit, ishte lavdëruar për këtë. Në një postim në Facebook, Vitia kishte shkruar se buxheti i vitit 2024 për shëndetësinë është buxheti më i lartë që i dedikohet Shëndetësisë, që nga paslufta.

Sipas tij, në vitin 2019 buxheti për shëndetësi ishte 233 milionë, ndërsa ai vitit 2024 do të jetë mbi 345 milionë euro./Arbresh.info/

Të ngjashme