Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve të KEK-ut, të arsimit, të shëndetësisë, të minatorëve dhe të administratës publike, të cilët njëzëri e shprehën mbështetjen e tyre për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt, që do të mbahet në Prishtinë.
Sipas njoftimit, në këtë takim, Hoxha dhe Tasholli i falënderuan sindikatat e punëtorëve për përkrahjen e ofruar, duke vlerësuar se angazhimi i tyre është dëshmi e fuqisë së bashkimit shoqëror për kauza të drejta, shkruan Arbresh.info.
Hoxha tha se kur punëtorët, pa dallim bashkohen me këtë kauzë, i japim më shumë jehonë kërkesës për drejtësi të paanshme dhe dinjitet.
“Kur flasim për sindikatat e punëtorëve, mesazhi merr një peshë të veçantë sepse ato përfaqësojnë zërin e mijëra punëtorëve nga sektorë të ndryshëm. Mbështetja e tyre për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt e kthen këtë nismë në një mobilizim gjithëpërfshirës qytetar”, shtoi ajo.
Ndërsa, Ismail Tasholli tha se Marshi i 17 shkurtit nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të parimeve themelore të drejtësisë.
“Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e drejtësisë dhe për mbrojtjen e të vërtetës së luftës çlirimtare të popullit tonë. Pjesëmarrja dhe mbështetja e sindikatave të punëtorëve i jep kësaj thirrjeje legjitimitet moral dhe shoqëror”, ka thënë Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë, me qëllim të mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”./Arbresh.info
Me 11 vota ‘për’, certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28...
Spiropali: Drejtësi e paanshme për UÇK-në, jo standarde të d...
Ronaldo i rikthehet stërvitjes te Al-Nassr pas zgjidhjes së ...
Kryetari i Malishevës jep mbështetje për Marshin “Drejtësi, ...
U kap me 10 qese drogë, arrestohet një person në Mitrovicë
Hyri për vetëm tri ditë në shtëpi, Luizit i vjen dron në Big...