Seanca për rastin e spiunazhit ndaj Shabanit dhe Qerimit vazhdon e mbyllur

09:39 | 29 Janar 2026
E.K

Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të enjten seancën gjyqësore në rastin ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për veprën penale të spiunazhit, e cila do të mbahet e mbyllur për publikun.

Nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri, është konfirmuar se në këtë seancë pritet të dëgjohen ekspertët, ndërsa për shkak të natyrës së dëshmive, gjykimi do të zhvillohet pa praninë e publikut deri në përfundimin e dëgjimit të tyre.

Seanca ishte mbyllur edhe të mërkurën, me propozim të mbrojtësit të Bedri Shabanit, avokatit Besnik Berisha, për shkak se ekspertët do të deklaroheshin lidhur me gjetjet e ekspertizës psikiatrike për të akuzuarin.

Ndërkohë, seanca e paraparë për 20 nëntor 2025 ishte anuluar, pasi gjykata kishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik për Bedri Shabanin.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 19 shkurt 2025, është konfirmuar si nga Gjykata Themelore, ashtu edhe nga Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës, Shabani dhe Qerimi dyshohen se për një periudhë të gjatë kohore kanë mbledhur dhe dërguar informacione dhe dokumente tek Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, institucionet e sigurisë në Kosovë, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike, përfshirë edhe masakrën e Reçakut.

Prokuroria pretendon se këto veprime kanë pasur për qëllim rrezikimin e rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, si dhe krijimin e narrativave të pavërteta që synonin të vinin në dyshim të vërtetën për krimet e luftës.

Bedri Shabani akuzohet për veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 i Kodit Penal, ndërsa Muharrem Qerimi, përveç spiunazhit, akuzohet edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi gjatë kontrollit në qershor 2024 i janë gjetur armë dhe municion pa leje./rtk