Rreth 200 të rinjë europianë diskutojnë për izolimin e qytetarëve të Kosovës

10:45 | 6 Shkurt 2016
M. A.

Më shumë se 180 të rijnë nga vendet e rajonit dhe Evropës për katër ditë do të qëndrojnë në Prishtinë.

Evropianët e rinj aterojnë në Prishtinë për të diskutuar izolimin e qytetarëve të Kosovës, për të dhënë kontributin e tyre në simulimin e modelit të Bashkimit Evropian Kosova 2016. Pra të rinjtë evropian dhe ata kosovarë përmes modelit të parlamentit Evropian pritet të marrin vendim për liberalizimin e vizave pasi që një ndër pikat kryesore e rendit të ditës që do të debatohet në këtë konferencë ndërkombëtare është kjo çështje.

Simulimi i parë i Bashkimit Evropian u zhvillua në vitin 2007 në Strasburg në pranverën e vitit 2007-të nga një grup studentësh dhe u zhvillua mjaft duke arritur të organizohet eventi më i madh rreth gjithë procesit të vendim marrjeve në Unionin Evropian.

Modeli i Bashkimit Evropian sot organizohet në shumë vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, si Belgjika, Spanja, Gjermania, Kroacia dhe shumë vende të tjera.

Është hera e parë që kjo konference po organizohet edhe në Kosovë “Modeli i Bashkimit Evropian, gjithashtu i njohur si MBE (MEU) është një konferencë simulimi ndërkombëtare, i procesit legjislativ të Bashkimit Evropian, që synon të lidhë të rinjtë nga e gjithë Evropa për të mësuar në lidhje me funksionimin e brendshëm të BE-së dhe procedurave të saj legjislative” shpjegon Albanë Hoti, Koordinatore e projektit dhe menaxhere për resurse njerëzore në iCHAT.

Ky model po organizohet nga Instituti Cilësor për Hulumtime Analiza dhe Trajnime dhe Vizioni për Zhvillim Kombëtar SHPK.

“Konferenca do të mbledhë bashkë rreth 200 të rinj nga e gjithë Evropa në selitë e institucioneve në Kosovë, pjesëmarrësit do të kenë role të ndryshme duke filluar nga Ministra të Këshillit të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të Parlamentit e deri tek interpret, gazetarë e lobistë” thotë Albanë Hoti.

Tema këtë vit është ‘Liberalizmi i Vizave për Kosovë’ në mënyrë që vetë anëtarët e Bashkimit Evropian, në këtë rast studentët e vendeve anëtare të BE-së, të jenë faktorë ndikues në procedim sa më të shpejtë të këtij procesi që do të ju mundësojë lëvizjen e lirë nëpër Evropë qytetarëve të Kosovës.

Gjatë rrjedhës së javës, pjesëmarrësit diskutojnë, debatojnë, negociojë dhe përpiqen të arrijnë një kompromis mbi propozimet e dhëna.

Kjo arrihet duke ndjekur saktësisht të njëjtat procedura që deputetët aktual të Bashkimit Evropian ndjekin në vendosjen e saktë të Parlamentit Evropian.

Aplikimi është i hapur për të gjithë të interesuarit nga mosha 18 deri 26 vjeçare nëse është shtetas i një prej 28 shteteve të Bashkimit Evropian, EEA, EFTA dhe Turqisë.

Pra, ju që jeni të interesuar për të qenë pjesë e këtij program keni dy oferta

“Pjesëmarrësit mund të zgjedhin dy pako në vlerë prej 110 Euro që përfshinë të gjitha sesionet formale dhe jo formale për konferencë, – Akomodimin për 3 net – Mëngjesi – Dreka -Pauza për kafe – Transporti prej aeroportit deri tek vendi i akomodimit – Mirëpritja – Vizita ne Parlamentin e Kosovës , dhe në Institucionet Qeveritare në Kosovë – Udhëtim në teren – Certifikatë për pjesëmarrje dhe pako prej 60 Euro e cila përfshinë -të gjitha sesionet formale dhe jo formale për konferencë – Dreka – Pauza për kafe – Mirëpritja – Vizita në Parlamentin e Kosovës – Certifikatë për pjesëmarrje” shpjegon Albanë Hoti.

Ky organizim është i rëndësisë së veçantë sepse përveç vlerës akademike, pjesëmarrësit ndërkombëtar do të përfitojnë nga qëndrimi tre ditor në Kosovë i cili do të ju mundësojë njohjen e praktikave , interaktivitetin dhe shkëmbimin e përvojave me studentët kosovarë duke përfshirë edhe ambientin ku ata zhvillojnë aftësimin e tyre akademik.

Qëllimi i këtij organizmi përfshinë edhe ndërveprimin e kulturave të ndryshme për tolerancën ndaj diversitetit si vlerë për integrim në Bashkimin Evropian.

Organizatorët tashmë tregojnë që interesimi është mjaft i madh aplikimet që kanë arritur deri tash janë nga Kosova, rajoni e Evropa aplikime kanë arritur edhe nga Turqia, India, Anglia, Afganistani, Afrika etj.

Kjo përvojë do të iu mundësoj të rinjve kosovar të mësojnë se si funksionon Parlamenti Evropian, si merren vendimet dhe si bëhen ndryshimet.

Shpërndaje në rrjete sociale