Është mbajtur ceremonia e përurimit të punimeve në katër ndërtesa shumë-banesore sociale, përkatësisht në Komunën e Obiliqit dhe në Komunën e Drenasit, në kuadër të projektit: “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Ndërtesat Shumë-Banesore Sociale”.
Projekti zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian (90%), si dhe me bashkëfinancim nga komunat përkatëse (10%).
Me këtë rast, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se ky projekt synon përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, përmes rritjes së efiçiencës së energjisë dhe uljes së kostove të energjisë për familjet përfituese.
Nga Obiliqi, ajo bëri të ditur se investimet në dy ndërtesa sociale në fshatin Plemetin kanë rezultuar me ulje të konsumit të energjisë deri në 73%.
“Masat e zbatuara janë të plota: izolimi i mureve, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, izolimi i çatisë, ndriçimi i ri LED me efiçiencë të lartë dhe instalimi i sistemit të ri të ngrohjes. Krahas këtyre, janë realizuar edhe punime të rëndësishme për sigurinë dhe funksionalitetin e ndërtesave, përfshirë riparimin e korridoreve, përmirësimin e instalimeve elektrike, sistemin paralel të ujësjellësit, hidroizolimin dhe masat kundër zjarrit”, tha ministrja Rizvanolli.

Ndërkaq, sa i përket investimeve në dy ndërtesa sociale në Drenas, ministrja theksoi se investimi prej mbi 380 mijë euro ka përmirësuar drejtpërdrejt kushtet e jetesës për 50 familje, përkatësisht rreth 250 qytetarë.
“Këto familje tashmë kanë banesa më komode dhe një ulje të dukshme të konsumit të energjisë deri në 82%, që përkthehet në kosto më të ulëta të energjisë”, deklaroi ajo.
Përveç ministres Rizvanolli, në këto aktivitete morën pjesë edhe Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Drejtoresha Menaxhuese e FKEE-së, Njomza Hoxha, nënkryetari i Komunës së Obiliqit,Berat Gashi, si dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Gjatë këtyre aktiviteteve u theksua rëndësia e investimeve në efiçiencë të energjisë si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve dhe reduktimit të ndikimit në mjedis./Arbresh.info

Ushqimet ideale për një gjumë më të qetë
Lajm i madh për Al-Nassr, rikthehet Cristiano Ronaldo
Parashikimi i motit për të premten
Trajneri i Bosnjës, Sergej Barbarez pritet si ”hero” në qyte...
Dërgimi i FSK-së në Gaza:, Ziv: Të lumtur që Kosova u përfsh...
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...