Qeveria jep detaje nga takimet e Kurtit në Bruksel

17:41 | 7 Dhjetor 2021

Qeveria e Kosovës, ka dhënë detaje nga takimi i takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë takim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë të përkushtuar që këtë marrëveshja ta zbatojnë.

Ai duke folur për rrugën e Kosovës drejtë BE-së, tha se kushtet ndaj Kosovës duhet të jenë të drejta.

“Ne besojmë se kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të lidhura me progresin aktual dhe të na motivojnë të gjithëve që ta afrojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi rëndësinë që ka mirëmbajtja e besimit të qytetarëve të Kosovës, duke dëshmuar përfitimet e të qenit pjesë e BE-së me veprime konkrete, që do të duhej të fillonte nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“Besimi është shumë i nevojshëm në çdo vend që dëshiron të nisë rrugëtimin e vështirë të anëtarësimit në BE, shtoi kryeministri”, u shprehë kryeministri, raporton arbresh.info.

Duke përmendur stabilitetin institucional në vend, si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit, reformat e nisura në drejtësi, luftën kundër krimit dhe rritjen ekonomike të shënuar gjatë këtij viti, Kryeministri Kurti tha se Kosova po hyn optimiste në vitin 2022.

Para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesit të Lartë të saj për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, u prezantuan arritjet dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Diskutimet e takimit u fokusuan mbi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës në Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e dytë dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara