Policia me aksion në Mitrovicë/ Sekuestron lloje të ndryshme droge dhe arreston një person

09:23 | 12 Mars 2025
E.K

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në lagjen Koloni në Mitrovicë, duke sekuestruar një sasi substancash narkotike, ku ka arrestuar një të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike

Ky operacion ishte pjesë e planit taktik “Befasia”, i cili është zhvilluar për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve.

Gjatë kontrollit në një shtëpi dhe objektet përcjellëse, policia ka sekuestruar 24 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokaine (7.5 gram), 6 qese me marihuanë (68.7 gram), 4 tableta Ekstazi (2.2 gram), si dhe materiale të tjera që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike.

Po ashtu, është sekuestruar një telefon mobil që dyshohet se është përdorur për aktivitete të paligjshme.

Në bazë të urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, i dyshuari ka një dënim të formës së prerë prej 2 vitesh burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Lidhur me këtë rast, është informuar Prokurori Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore të Mitrovicës – Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që i dyshuari pas intervistimit të dërgohet në vuajtje të dënimit. Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Mitrovicë Jug”, njofton Policia e Kosovës.

Pas intervistimit, i dyshuari është dorëzuar në Stacionin Policor Mitrovica Jug, ku është dërguar për të vuajtur dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

“Ky aksion është një tjetër hap në luftën e vazhdueshme kundër krimeve të organizuara dhe trafikut të narkotikëve, dhe dëshmon angazhimin e institucioneve të rendit dhe sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar të vazhdoj punën për të zbuluar dhe parandaluar çdo aktivitet kriminal që kërcënon sigurinë dhe rendin publikë, në veçanti aktivitetet e tilla kriminale që rrezikojnë shëndetin e rinisë sonë”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale