Policia jep detaje rreth shkatërrimit të laboratorit në Leposaviç

19:17 | 1 Korrik 2022

Policia e Kosovës, sot, pas hetimeve paraprake ka parashtruar kërkesë për urdhër-kontroll në organet e drejtësisë për kontrollin e një objekti pronë e të dyshuarit G.J., në Leshak të Leposavicit, pasi në objekt dyshohej se kultivohej bima e kanabisit.

Pas marrjes së këtij urdhri, sot rreth orës 10:10, gjatë realizimit të kontrollit të objektit, në dy kate të tij, janë gjetur pajisje për kultivimin e kanabisit me vlerë qindra-mijëra euro, shkruan arbresh.info.

Sipas Policisë, laboratori ishte i pajisur mirë dhe ishte në gjendje të gatshme për të filluar mbjellja e bimëve të kanabisit, pra aty mungonin vetëm bimët, pasi gjithçka tjetër ishte e gatshme.

Në konsultim me prokuroren ka filluar sekuestrimi i pajisjeve që janë gjetur në atë ndërtesë.

I dyshuari gjendet në arrati, kurse policia do të vazhdojë me hetimin dhe kompletimin e rastit./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale