Ndërhyrjet politike në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), kanë bërë që kësaj agjencie të mos i vazhdohet anëtarësia në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), thuhet në vendimin që i është dërguar kësaj Agjencie.
Në këtë vendim të marrë në mbledhjen e fundit të ENQA-s më 19 shtator, përmenden edhe arsyet tjera për mosvazhdimin e anëtarësisë.
Mungesa e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë si dhe mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA, po ashtu përmenden në arsyetimin e bërë tashmë publik.
Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), është organizatë që përfaqëson anëtarët e saj në Evropë dhe më gjerë, sidomos në proceset e vendimmarrjes politike dhe bashkëpunon me organizatat e interesuara.
Lidhur me këtë vendim, ka pasur shumë reagime në Kosovë. Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, përmes një deklarate për media, ka fajësuar qeverinë dhe politikën për këtë situatë.
Përmes kësaj deklarate, Zyra e BE-së kujtoi vendimin e ministrit në detyrë të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, të marrë me kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë në vitin 2017.
“Të qenët anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.
Edhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka reaguar ndaj përjashtimit të AKA-së, duke e quajtur vendim të drejtë.
Në një komunikatë për media të KShC-së thuhet se ky vendim “reflekton problemet strukturore të AKA dhe trashëgiminë e lënë pas ndërhyrjeve të vazhdueshme politike në punën e Agjencia e Kosovës për Akreditim”.
“Të gjeturat e ENQA-s janë plotësisht korrekte dhe pasqyrojnë shtrëngimet e jashtme dhe të brendshme me të cilat përballet Agjencia e Kosovës për Akreditim. Është brengosëse që Agjencia e Kosovës për Akreditim vazhdimisht është përballur me mungesë të mbështetjes, mungesë të burimeve njerëzore, pavarësi të cunguar, që ka pamundësuar fuqizimin dhe llogaridhënien e AKA-së. Jemi të shqetësuar se vendimi i ENQA-s largon Kosovën nga komuniteti i zonës evropiane të arsimit të lartë dhe vështirëson barasvlerësimin e diplomave të marra nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thotë se e ka pranuar me shqetësim lajmin se Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ka konstatuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s.
Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, thuhet se për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar.
“Sot ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia e Kosovës për Akreditim mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për gjetjet në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim”, përfundon njoftimi.
Organizatat joqeveritare në Kosovë, që merren me arsimin, fajësojnë politikën, por edhe keqmenaxhimin e vetë Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë se ndërhyrje politike në Agjencinë e Akreditimit ka pasur që nga themelimi i saj.
“Mosvazhdimi i anëtarësimit të Agjencisë në ENQA, është si rrjedhojë pikësëpari e ndikimeve politike mbi këtë agjenci dhe pastaj, jo vullneti i mirëfilltë i institucioneve tona, për të siguruar një pavarësi dhe një punë të mirëfilltë të këtij institucioni”, thotë Qehaja.
Ai thotë se largimi i Kosovës nga ENQA, i vë një hije shumë të keqe arsimit të lartë në vend, karshi institucioneve ndërkombëtare.
Sipas shoqërisë civile, përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ENQA do të shkaktojë dëm te studentët që regjistrohen në programet e akredituara pas vitit 2019, posaçërisht në çështjen e njohjes më të lehtë të diplomave të tyre jashtë Kosovës.
Visar Xhambazi, hulumtues në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi tregon gjendjen degraduese të Agjencisë. Sipas tij, gjatë dy vjetëve të fundit, Agjencia e Kosovës për Akreditim, ishte pre e sulmeve politike.
“Përgjegjës institucionalë mbesin kryeministri në largim Ramush Haradinaj dhe ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, sepse këta kanë lejuar që ky institucion të politizohet dhe të degradohet deri në këtë masë që ne të mos jemi pjesë e kësaj organizate”, u shpreh Xhambazi.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë me ministrin në detyrë të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, dhe Zyrën e kryeministrit, por të njëjtin nuk janë përgjigjur.
Njëjtë kanë vepruar edhe drejtues të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Në shkurt të vitit të kaluar, Agjencia e Kosovës për Akreditim ishte përjashtuar nga Regjistri Evropian i Sigurimi të Cilësisë në Arsimit e Lartë (EQAR).
Në njoftim-vendimin e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dërguar Agjencisë së Kosovës për Akreditim, bëhet me dije se kjo Agjenci (AKA) mund të aplikojë sërish për anëtarësim dy vjet pas marrjes së këtij vendimi./Rel
Katari pezullon rolin ndërmjetësues për luftën në Gazë
Burimi planifikon që pas BBVK të punojë kamarier
PSG merr një fitore solide në udhëtim ndaj Angers
Las Vegasi mbulohet nga bora, qytetarët thonë se nuk kanë pa...
NATO i përgjigjet vendosjes së trupave të Koresë së Veriut n...
“T’ua humbim buxhetin djemve”, Gresa ia tregon planin Sarës