Google ADS

Pas 30 ditësh sakrificë, vjen festa e Fitër Bajramit –Vlerat dhe kuptimi i kësaj feste

12:58 | 30 Mars 2025
R J

Muaji i Ramazanit–muaji i pastrimit shpirtëror, përfundoi pas 30 ditësh lutje dhe agjërim nga besimtarët myslimanë.

Muaj që përveç privimit nga ushqimi, ofron mundësi për të pastruar shpirtin dhe trupin nga gabimet dhe pengesat.

Sipas hoxhës Baki Imeri, agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është një ndër shtyllat e Islamit.

Ndërsa, festa e Fitër Bajrami simbolizon fundin e muajit të Ramazanit dhe fundin e agjërimit.

Hoxhë Imeri, në një intervistë për Arbresh.info, ka folur rreth vlerave dhe kuptimit të kësaj feste.

“Festa e Fitër Bajramit, është një festë madhore për të gjithë besimtarët anë e kënd botës, është festë ku besimtari feston dhe pret me të drejtë shpërblimin e të madhit zot, pas një angazhimi, pas një sakrifice, pas një flijimi, pas një kryerje të madh që kanë myslimanët ndaj urdhrave të zotit, është e drejt e tyre e të gjithë agjërueseve, që sot me rastin e festës së Fitër Bajramit, t’i gëzohen kësaj feste, për këtë ka premtuar zoti i madh, që të gjithë ata që agjërojnë, Allahu do t’i shpërblejë me të mirat e tij edhe në këtë botë me rastin e festës së Fitër Bajramit, por edhe në botën tjetër”, thotë hoxhë Imeri.

Ai tregon se dukshëm dallon festa e Fitër Bajramit tash me kohën e kaluar, e kjo, shkaku i jetës dinamike.

“Ka dallim pak për shkak të rrethanave të ndryshme, jeta më dinamike e njerëzve me të kaluarën, por mesazhi i kësaj feste është ai mesazh duhet të na vetëdijeson të gjithë neve kur besimtarët përpara, që angazhohen më shumë me familje duke shkuar në rrethin familjar, duke i uruar të gjithë njëri tjetrin, dhe ky mesazh duhet që neve të na tregoj mirësinë që ne kemi në familje, duhet që neve të në bëj prej atyre që të jemi vazhdimisht me familjet tona, familja është boshti i së mirës, i së ardhmes, prandaj kjo festë më shumë se kurrë na bashkon neve si familje që shkojmë të urojmë njëri tjetrin”, thotë ai.

Për këtë, hoxha thotë se shkaktar është dhe pandemia Covid-19.

“Është shumë e vërtetë që prej rastit të pandemisë, ne kemi një shthurje të familjes, ku pandemia bëri që neve të na ndajë me familje tona, me shoqërinë tonë, ne jemi bashkësi njerëzore, dhe jetën duhet ta zhvillojmë në bashkësi, Islami na mëson që ne të jemi të bashkuar, ta vizitojmë njëri tjetrin në të mirë dhe gëzime por edhe në hidhërime”, thekson ai.

Hoxhë na tregon edhe vlerat e Natës së Kadrit.

“Nata e Kadrit ka vlerë më shumë se 1000 muaj, disa njerëz e keqkuptojnë, duke thënë se ka vlerë 1000 muaj që mund të përcaktohet 83 e ca vite, ka shumë më shumë vlerë se 1000 muaj, vetëm zoti e din vlerën e kësaj nate, besimtarët në këto 10 netët e fundit, e kërkojnë natën e Kadrit me plot të drejtë, që të arrijnë vlerën dhe shpërblimin e madh që ka garantuar zoti me rastin e natës së Kadrit”, shprehet ai.

Të gjithë përballemi me mungesën e personave më të dashur të cilët nuk janë më, e Hoxha thekson se në këto festa, duhet t’i përkujtojmë me dua dhe lutje.

“Festat islame siç janë festa e Fitër Bajramit dhe festa e Kurban Bajramit, sjellin emocione tek familjet tona. Gjithkujt i mungon dikush, ne sugjerojmë dhe islami na mëson që këto festa duhet t’i përjetojmë me gëzim, për arsyeje që këto sjellje sjellin bereqetin, ne nuk mundemi t’i ikim realitetit që dikush na mungon në familje, ne duhet t’i kujtojmë ata, ne duhet t’i përkujtojmë ata, me rastin e festes së Fitër Bajramit, i thërras të gjithë besimtarët që të mundohen sa ma pak me i përzier ndjenjat e gëzimit dhe mërzinë, te gëzojmë festën e Fitër Bajramit me gjithë familjarët tonë, e t’i kujtojmë ata që si kemi me dua dhe me lutje”, shprehet hoxha.

Ai ka edhe një urim të veçantë për të gjithë besimtarët myslimanë.

“Unë uroj të gjithë shqiptarët dhe besimtarët myslimanë, posaçërisht në vendin tonë me urimin më të mirë, iu dëshirojë shëndet, mbarësi dhe shpërblim të madh tek zoti, me rastin e kryerjes së një obligimi të madh siç ishte muaji i Ramazanit agjërimi, iu uroj shëndet dhe mirësi të gjithë besimtarëve”, përfundon Hoxha.

Ndryshe, namazi i Fitër Bajramit falet të dielën në orën 06:59 minuta./Arbresh.info/ Rita Jakupi/

Të ngjashme

Foto lajm