Më 9 shkurt 2025, qytetarët e Republikës së Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë dhe deputetët e rijnë, të cilët do i përfaqësojnë ata për katër vjetët e ardhshme.
Fushatës, ku partitë politike mund t’i prezantojnë plan-programet e tyre, po i vjen fundi, mirëpo ajo çka është parë deri tash, është se liderët partiak për kryeministër më shumë janë fokusuar në deklarata fyese sesa në prezantim të programit të tyre.
Njohësit e çështjeve politike në vend pohojnë se gjuha e përdorur në këto zgjedhje mund të thuhet se ka një nivel më pak të ashpër krahasuar me fushatat e kaluara.
Analisti Visar Xani, pohon se kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, kreu i qeverisë aktuale, Albin Kurti ka zgjedhur një qasje shumë të ashpër ndaj dy partive që i konsideron si sfiduesit më të mëdhenj – PDK-së dhe LDK-së.
“Në vend që të fokusohet në prezantimin e një programi të qartë dhe gjithëpërfshirës, ai shpesh i drejtohet sulmeve verbale dhe përqeshjeve ndaj figurave të opozitës. Kjo qasje duket se ka për qëllim krijimin e një polarizimi politik, me shpresën për të ngritur tensione që potencialisht do të ndihmonin partinë në pushtet”, thotë Xani për Arbresh.info.
Sipas tij, PDK-ja dhe LDK-ja kanë zgjedhur të mos bien në “kurthin” e kësaj gjuhe.
“Ato po fokusohen në metoda më kreative, duke prezantuar projekte dhe duke përdorur një gjuhë të moderuar për t’iu përgjigjur akuzave. Kjo strategji i bën ato të dallohen si më të përqendruara në përmbajtjen dhe ofertën për qytetarët. Në përgjithësi, deputetët po përqendrohen më shumë në fushata “derë më derë,” duke komunikuar drejtpërdrejt me votuesit. Gjuha e tyre është reflektim i pozicionit politik – opozita përpiqet të propozojë alternativa dhe të jetë konstruktive, ndërsa pozita përpiqet të mbrojë arritjet dhe të diskreditojë kundërshtarët”, thekson analisti.
Xani mendon se opozita është duke përdorur një gjuhë më të mirë dhe më të matur, ndërsa gjuha më problematike, në terma të ashpërsisë dhe mungesës së fokusit në çështje konkrete, i atribuohet kryeministrit dhe partisë në pushtet.
Edhe Afërdita Maliqi, po ashtu njohëse e çështjeve politike, mendon se gjuha që po përdor kryeministri Kurti në fushatë është fyese.
Maliqi shprehet se gjuha që po përdor Kurti në fushatë ndaj opozitës tregon se kjo qeveri në katër vjet nuk ka ofruar asgjë dhe vazhdon ende të godas kundërshtarët politikë.
“Fushata ka filluar shumë më herët këtë radhë, pavarësisht se kemi një muaj fushatë dhe po shohim një përfshirje të madhe, sidomos të opozitës, të cilët po bëjnë një fushatë shumë të ngjeshur dhe voluminoze dhe me sallat plotë, që tregojnë se ka një angazhim të madh edhe të qytetarëve. Por, ajo që po e shohim se partitë politike opozitare, PDK, LDK e AAK, kanë program dhe po ofrojnë alternativa për qytetarët, por partia në pushtet nuk po ofron program, por më shumë po merret me gjuhën fyese ndaj partive opozitare”, thekson Maliqi.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë një tubimi në Pejë e ka krahasuar partinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës me insektin e mizës.
“Pra, kur ata thonë që populli po i do, kjo është si ajo miza që lavdohet se njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë që me ato duar që duartrokasin çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”, ishte shprehur Kurti.
Një gjuhë të ashpër po e përdor edhe kandidati i AAK-së për kryeministër Ramush Haradinaj për Kurtin, duke e quajtur atë serb.
“Kurti për Kosovën është më serb se Vuçiq edhe se Putini. Ky njeri ka punuar intenzivisht me kriju mosbesim mes popullit të vet dhe Amerikës, ka ushqy fushata denigruese ndaj Amerikës e zyrtarëve të tyre. Na ka larguar nga NATO, ka shku aq larg sa ka krijuar një mosbesim edhe me KFOR’in”, ishte shprehur Haradinaj në një studio televizive.
Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj bën deklarata të tilla për Kurtin.
Gjobat e PZAP-së
Për gjuhën e përdorur gjatë fushatave, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar Lidhjen Demokratike të Kosovës me 30 mijë euro.
Kandidatja e LDK-së, Xhenet Syka ka shpërndarë një video përmes së cilës ka krahasuar Albin Kurtin me Adolf Hitler.
Pa u dënuar nuk ka shpëtuar as Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të gjuhës që ka përdorur kryeministri Albin Kurti në Pejë për partinë e LDK-së, me 3 mijë euro.
Këtë gjuhë që po përdoret në fushatë, nuk ka kaluar pa u komentuar nga juristja e mediave, Flutura Kusari. Sipas Kusarit, dënimi i LDK-së me 20 mijë euro pasi një deputete e ka krahasuar Kurtin me Hitlerin është i drejtë dhe nuk duhet të ndryshohet.
“Asnjë politikan në Kosovë nuk duhet të krahasohet në asnjë formë me Hitlerin. Ky krahasim dhe kjo shprehje nuk është liri e shprehjes, është abuzim me lirinë e shprehjes. Njëjtë, të gjithë gazetarët, komentatorët apo të tjerët që flasin publikisht dhe që e krahasojnë këdo nga politikanët me Hitlerin meritojnë të japin përgjegjësi ligjore për abuzim me lirinë e shprehjes”, kishte shkruar Kusari në Facebook.
Gjithsesi, mbetet të shihet se çfarë do të sjellin politikanët deri në zgjedhje./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Arrestohet në Gjakovë i dyshuari për shpërndarje të material...
Aksident në Gjilan, vetura rrokulliset në mes të rrugës
Kremlini: Presim përgjigjen e SHBA pas bisedimeve të paqes
Oda Ekonomike me kallëzim penal ndaj ZRRE-së
Shorti i Botërorit 2026: Për herë të parë do të përmenden Ko...
Kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, sot seanca paraprake në...