Noti, sport tejet i prekur nga pandemia, por me interesim të madh nga të rinjtë

18:47 | 1 Nëntor 2020 | Edonis Bytyqi

Sikurse i gjithë globi, edhe sporti është prekur nga pandemia e koronavirusit.

Ky armik i padukshëm po shkakton telashe të mëdha tek klubet dhe sportistët tanë.

Krahas shumë sporteve, është edhe noti që ka probleme pikërisht për shkak të pandemisë së Covid-19.

Këtë e ka konfirmuar edhe sekretari i Federatës së Notit, Astrit Haliti, i cili për arbresh.info tha se noti ka shtyrë shumë gara dhe aktivitete.

“Te noti ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në aspektin e përgjithshëm. Pjesëmarrja në aktivitete, gara dhe shumë gjëra tjera janë shtyrë shkaku i pandemisë dhe kjo tregon që është problem jashtëzakonisht i madh për notin”, u shpreh fillimisht ai.

Haliti beson se noti në kohën e fundit ka pasur zhvillim tejet të madh duke u krijuar klube dhe shkolla të shumta, por problem është infrastruktura, që është duke i penguar.

“Në kohën e fundit ka filluar të zhvillohet, ka shumë klube dhe shkolla të notit që janë krijuar të reja, kanë numër jashtëzakonisht të madh të fëmijëve, por është infrastruktura që i cingon të gjitha këto”, vazhdoi Haliti.

Në fund, Haliti bëri të ditur se norma olimpike është synim për të gjithë sportistët, por shkaku i kushteve do jetë shumë vështirë.

“Norma olimpike për çdo sportist është synim së bashku me pjesëmarrjen, për shkak që ne mund të marrim pjesë me një djalë dhe një vajzë, por nuk do të thotë se do ndalemi, por do jetë jashtëzakonisht e vështirë të arrihet për shkak të kushteve. Nuk kemi asnjë pishinë me dimensione olimpike që mund të stërviten sportistët”, përfundoi Sekretari i Federatës së Notit.

Ndër shkollat e notit që është prekur nga pandemia e koronavirusit është edhe klubi i notit ‘Prishtina’, që verën e kaluar në garat e zhvilluara me 10 – 12 shtator në Durrës ka fituar hiq më pak se 27 medalje.

Trajnerja e kësaj shkolle të notit, Vlera Llalloshi në një intervistë për arbresh.info, theksoi se pandemia ka ndikuar negativisht dhe rikthimi në stërvitje ishte i vështirë.

“Siç e dimë për të gjitha sportet edhe për notin ka ndikuar negativisht, janë ndërprere stërvitjet dhe rikthimi ka qenë më i vështirë”, deklaroi ajo fillimisht.

Sipas saj, interesimi është më i ulët për shkak se prindërit hezitojnë, por moshat e vogla kanë më shumë interesim.

“Në këtë kohë interesimi është pak më i ulët për shkak se prindërit po hezitojnë, mirëpo ne po kemi interesim të moshave të vogla edhe gjithashtu klubi i notit është aktiv çdo ditë”, vazhdoi tutje Llalloshi.

Në fund, Llalloshi deklaroi se vajzat synojnë pjesëmarrjen në kampionate ndërkombëtare.

“Klubi nuk ka pasur stërvitje intensive nga koha e pandemisë, por tani jemi në program gradual për ngritje. Vajzat synojnë me marrë pjesë në kampionate ndërkombëtare”, u shpreh Llalloshi.

Një ndër vajzat që stërvitet në klubi i notit ‘Prishtina’, Erina Gashi tha se i pëlqen shumë noti për shkak të benefiteve mentale dhe fizike.

“Noti është sport i shëndetshëm, kam filluar që nga viti 2013 dhe më pëlqen për shkak të benefiteve që nga ato mentale dhe ato fizike”, deklaroi ajo.

Ajo, është e lumtur me trajnerët, por beson se do ishte më mirë nëse do kishte pishinë olimpike në kryeqytet.

“Puna e palodhshme nga të dyja dhe shpresoj se gjithmonë ka më arrit më shumë nga këto trajnere, por pishina do ishte në rregull nëse do kishte pishinë olimpike, meqenëse në kryeqytetin tonë mungon një e tillë”, theksoi Gashi.

E lumtur me sportin e notit është edhe Kanina Musliu që në të ardhmen shpreson ta përfaqësojë Kosovën në lojërat olimpike.

“Sporti e kam si hobi dhe përveç që është sport garues është edhe sport që mundesh me shprehë talentin, unë ushtroj që shtatë vjet. Kam dëshirë me shku deri në olimpiadë dhe ta përfaqësojë Kosovën në lojërat olimpike dhe Kosova më u njoftë si shtet për një sport si noti”, u shpreh Musliu.

Krejt në fund, noti është sport që ka filluar të zhvillohet dukshëm në Kosovë dhe në të ardhmen e afërt pritet t’i sjellë medalje të shumta shtetit tonë./E.Bytyqi /arbresh.info.