Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe për çështjen e nënkryetarit serb ka hyrë tashmë në fuqi, meqë është publikuar edhe në Gazetë Zyrtare.
Me publikimin në Gazetë Zyrtare, ka nisur rrjedhja e afatit 12 ditor që Kushtetuesja u ka dhënë deputetëve për ta zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata e ka lejuar votimin ndaras të nënkryetarëve.

Sipas vendimit, thuhet se nuk përbën shkelje nëse nënkryetarët votohen ndaras, meqë votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë.
“Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vëren se bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në vendim.
Megjithatë, Gjykata ka theksuar se propozimi për nënkryetar serb, duhet të bëhet nga shumica e deputetëve, e që i bie në këtë rast, Lista Serbe.
“Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit Serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, theksohet në njoftim.
Ndryshe, Kryeparlamentari Dimal Basha e kishte përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, kishte deklaruar Basha, në seancën e 30 gushtit.
Sipas tij, moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarët e Kryesisë nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit
Nuk u ndalua në pikën e kontrollit, policia e Cyrihut arrest...
Tragjedia në Zakynthos të Greqisë ku qeni mbyti 2 vjeçarin s...
“Mos më kërcëno!” – Londrimi i drejtohet Labinotit