Nesër dërgohen 30 mostra në Berlin për të verifikuar se a ka variant të ri të COVID-19 në Kosovë

16:37 | 17 Janar 2021

Derisa në shumë shtete kanë filluar të përhapen disa variante të reja të virusit COVID-19, në Kosovë nuk dihet ende nëse ka raste të infektuara edhe me këto variante.

Kjo pasi një variant tjetër pos atij që ka qenë i pranishëm, nuk mund të detektohet në vend. Kësisoj, mostrat e marra nga pacientët duhet të dërgohen për verifikim në shtetet tjera. 30 mostra pritet të dërgohen në Berlin ditën e nesërme.

30 mostra të zgjedhura në mënyrë të rastësishme, do të dërgohen të hënën në një laborator në Berlin, për të parë nëse ndonjë variant tjetër i virusit COVID-19 është duke qarkulluar në Kosovë.

Derisa verifikimi i ndonjë varianti tjetër të këtij virusi nuk mund të bëhet në vend, Organizata Botërore e Shëndetësisë, po e ndihmon Kosovën që mostrat t’i dërgojë në shtetet tjera.

Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Xhevat Jakupi, ka thënë për Express, se kanë mbledhur në mënyrë të rastësishme 40 mostra, por që rreth 30 prej tyre do të dërgohen ditën e nesërme në Berlin.

Ai ka theksuar se nuk kanë informacione se kur do të marrin përgjigje për këto mostra.

“Mostrat janë zgjedhur në mënyrë të rastësishme. Ne kemi mbledhur 40 mostra, por zakonisht nuk lejojnë që të dërgohen shumë, andaj po shohim mundësinë për dërgimin e 30 mostrave. Ato do të dërgohen në Universitetin “Charite” në Berlin, i cili është një nga laboratorët referent të OBSH-së. Ne nuk kemi informatë për sa kohë do të na kthejnë përgjigje, varet se si ata do ta procesojnë këtë”, ka thënë ai.

Jakupi ka treguar se për dërgimin e mostrave jashtë vendit kanë aplikuar para disa javëve, dhe se të gjitha shpenzimet rreth transportit të tyre do të mbulohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Të gjitha shpenzimet rreth transportit i mbulon një program i OBSH-së, për dërgim të mostrave për grip dhe koronavirus. Për këtë arsye është vetëm një kompani e licencuar dhe ne kemi aplikuar para disa javëve. Të hënën e kanë konfirmuar se do të vijnë në laborator do t’i marrin dhe do t’i dërgojnë atje me aeroplan”, ka theksuar ai.

I pyetur nëse po punohet që mostrat e dyshuara të mund të verifikohen edhe në Kosovë, Jakupi ka thënë se një gjë e tillë nuk është prioritet.

Ai është shprehur se ende nuk ka informacione se variant i ri paraqet një pasqyrë më të rëndë klinike, ose ka vdekshmëri më të madhe, andaj edhe nuk ka ndonjë rol të posaçëm.

Tutje ai ka thënë, se edhe muajin e ardhshëm mund t’i dërgojnë disa mostra jashtë vendit.

“Ende nuk ka asnjë informatë se ky variant paraqet ndonjë pasqyrë më të rëndë klinike, që shkakton vdekshmëri më të madhe, ose që nuk ndikon vaksina ndaj tij. Nuk ka ndonjë rol të posaçëm. Për momentin ne diagnostikojmë si me variant si pa variant, andaj të shohim se si po dalin rezultatet. Ne mund t’i dërgojmë përsëri disa mostra në muajin e ardhshëm”, ka shtuar ai.

Varianti i ri i koronavirusit, që fillimisht u zbulua në Britani është përhapur edhe në shumë shtete tjera.

Mutacioni i ri i COVID-19 mendohet të jetë 70 për qind më i transmetueshëm.

Ndërsa, tashmë një lloj tjetër i ri i COVID-19 është përhapur edhe në Afrikën e Jugut si dhe në Japoni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara