Në Ditën e Presidentit, Presidentja Osmani dekoroi Jim Xhema dhe Christopher Hyland

13:18 | 24 Maj 2022

Në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në prani të zëvendësambasadorit të SHBA-ve, z. Nicholas Giacobe dhe përfaqësuesve të shoqatës “Vatra”, Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, e dekoroi z. Jim Xhema me Urdhrin e Lirisë. Ai ishte dekoruar më parë edhe me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova. Në të njëjtën ceremoni, Presidentja Osmani dekoroi me Urdhrin dr. Ibrahim Rugova edhe z. Christopher Hyland.

Presidentja Osmani ka vlerësuar kontributin e të dekoruarve për afirmimin e çështjes së Kosovës ndër vite.

“Duke e rikthyer vëmendjen te miqtë e Kosovës e atdhetarët tanë përtej Oqeanit Atlantik, ne e ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale