Mbi 30 raste të reja të braktisjes së fëmijëve në Kosovë

09:53 | 28 Janar 2018

Braktisja e fëmijëve është një dukuri shqetësuese jo vetëm në botë por edhe në Kosovë. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë raportuar 34 raste të braktisjes së fëmijëve, shkruan Arbresh.info

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Gjatë vitit 2017, nga ana e Qendrave për Punë Sociale, janë raportuar 34 raste të reja të fëmijëve të braktisur”, ka thënë Musa Demiri, zyrtar për informim nga kjo ministri.

Ndërsa në SOS Fshatin e Fëmijëve aktualisht po qëndrojnë 67 fëmijë nën kujdes.

“Aktualisht i kemi 67 fëmijë në kujdes, te Kujdesi Alternativ i Familjes”, kanë thënë Besnik Peci nga SOS Fshati i Fëmijëve në Kosovë.

Ai ka treguar se cilat mosha ndodhen nën mbikëqyrjen e kësaj organizate.

“Kemi grupmosha të ndryshme të fëmijëve si psh: 0-4 vjet i kemi 12 fëmijë 6 vajza dhe 6 djem.

Grupmoshat nga 4-17 vjet i kemi 38 fëmijë 26 vajza dhe 12 djem dhe grupmoshat 17-22 vjet i kemi 9 vajza dhe 8 djem”, ka treguar Peci.

 

Sociologu Ferdi Kamberi në një prononcim për arbresh.info ka thënë se braktisja e fëmijëve vjen si pasojë e shumë faktorëve.

“Sipas sociologëve, kjo dukuri ka të bëjë më shumë me marrëdhëniet seksuale para martesës ose lidhjet jashtëmartesore, shtatzënia në adoleshencë, mungesa e një planifikimit adekuat familjar, pastaj stigmatizimin e femrës qoftë nga familja apo rrethi social, faktorë të tjerë janë edhe mos pranimi i atësisë nga prindërit në këtë rast më shumë nga ana e meshkujve, faktorët socio – ekonomik (papunësia, varfëria, mungesa e mirëqenies sociale), mungesa e kushteve elementare të jetës ose mungesa e banimit, mungesa e pavarësisë së femrës për të mbajtur fëmijët, si dhe faktorë të tjerë”, ka thënë Kamberi.

Kurse si preventivë që mos të arrijë deri tek braktisja e fëmijëve, Kamberi ka thënë se rol të rëndësishëm në një familje luan komunikimi i mirëfilltë në mes tyre.

“Sa i përket preventives, konsiderojmë se së pari duhet të ketë një komunikim të mirëfilltë në familje, për shkak se komunikimi konsiderohet si çelës i suksesit dhe përmes komunikimit arrihen të zgjidhen shumë probleme”, është shprehur ai.

Kamberi thotë se rol të rëndësishëm në preventivën e kësaj dukurie kanë edhe institucionet e vendit duke përmendur kështu një varg masash që mund të merren nga ana e tyre.

“Pastaj institucionet e vendit duhet të krijojnë politika popullative për familjen, duhet të krijohen politika të cilat përkrahen nënat e reja, pasi që edhe ashtu të dhënat tregojnë se ka rënie të natalitetit. Akterët e ndryshëm si niveli qendror, lokal dhe qendrat për punë sociale, duhet të punojnë me komunitetin, në mënyrë që të ketë një vetëdijesim për shoqërinë lidhur me pasojat e braktisjes së fëmijëve. Po ashtu, institucionet publike duhet të t’i fuqizojnë edhe njësitë për nënën dhe foshnjat, të ofrojnë shërbime më të mëdha për planifikimin familjar, shërbimet e këshillimit dhe familjen, duhet të ketë udhëzime për parandalimin e braktisjes së fëmijëve në njësitë e maternitetit, duhet të ketë trajtim të personelit spitalor, në mënyrë që të jenë të gjendje të menaxhojnë rreziqet e larta dhe të ofrojnë këshilla sa më pozitive. Madje, këto janë edhe iniciativa të cilat janë marrë së fundi nga ana e shteteve në Bashkimin Evropian”, ka treguar tutje ai.

Sipas tij mediat po ashtu luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim duke pasur prioritet familjen dhe zhvillimin e saj dhe duke e promovuar atë përmes emisioneve dhe programeve të ndryshme.

Ai ka thënë se çështja e braktisjes së fëmijëve është një nga fenomenet e shoqërisë kosovare e cila pas vitit 1999 ka shënuar një rritje.

Kodi Penal i Kosovës thekson se braktisja e fëmijëve penalizohet

 

“Neni 250 Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës – 3. Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili e braktis fëmijën e tillë në një mënyrë që rrezikon jetën e tij apo rrezikon ose dëmton rëndë shëndetin e tij, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”, theksohet në këtë Kod./R.Rexhepi/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara