Mbi 2.5 milionë turistë vizituan Shqipërinë në katër muaj, gati gjysma nga Kosova

16:49 | 25 Maj 2026
E.H

Shqipërinë e vizituan mbi 2.5 milionë të huaj në katër muaj e parë të vitit. Të dhënat nga Instituti I Statistikave tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, hyrjet e turistëve nga jashtë janë zgjeruar me 5 për qind.

“Kryesisht janë turistë për herë të parë, por ka edhe nga ata që vijojnë të kuriozohen e të vizitojnë pjesë të tjera të vendit. Shifrat ndihen edhe te ne. Mund të them se viti ka nisur mjaft mbarë”, thotë Jetmira Hoxha, operatore turistike.

Pjesa më e madhe, gati gjysma e tyre janë nga Kosova duke konsideruar besnikërinë e qytetarëve të vendit tjetër shqip-folës.

“Të paktën deri më tani pushuesit nga Kosova nuk mungojnë. Mund të them si në vitet e mëhershme, pavarësisht liberalizimit të vizave. Pjesa tjetër vijon siç ka qenë thuajse”, thekson Hoxha.

Ngjashëm me vitin e shkuar, lista pasohet nga italianët e malazezët. Peshë të konsiderueshme në totalin e turistëve që kanë vizituar vendin në katër muajt e parë të vitit zënë edhe pushuesit nga Maqedonia e Veriut, nga Greqia, Anglia, Turqia, Serbia e Polonia.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe deri tani më pëlqen shumë. Moti është i këndshëm dhe njerëzit janë mikpritës. Po eksplorojmë disa qytete dhe gjithçka duket interesante”, shprehet Alena, turiste nga Republika Çeke.

Në një kohë që numri rritet dhe gjeografia e turistëve zgjerohet., bashkë me to po shtohen edhe ankesat e tyre.

Në internet dukej gjithçka shumë perfekte dhe shumë e lirë, por kur mbërritëm disa çmime ishin më të larta dhe shërbimi jo gjithmonë në nivelin që prisnim”, theksoi Adin, turist nga Republika Çeke.

“Një pjesë të vjetra e të tjera të krijuara rishtazi. Ankohen kryesisht për abuzimet me çmimet këtë vit dhe shërbimin. Është “Thembra e Akilit” për ne”, vijoi Hoxha.

Prilli rezulton si muaji më i mbarë që nga fillimi i vitit për turizmin. Vendin rezulton ta kenë vizituar gati 900 mijë të huaj, Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, shifra është zgjeruar me gati 9 për qind./A2cnn

Shpërndaje në rrjete sociale