Për shtatë ditë sa ka zgjatur peticioni për bashkimin e Mitrovicës atë e kanë nënshkruar 16 mijë e 594 qytetarë.
Këtë e ka thënë kryetari i Komunës së Mitrovicës në një konferencë për media të mbajtur sot në Mitrovicë.
Bahtiri, po ashtu, ka thënë se Komuna e Mitrovicës nuk ka marrë vendim për bashkimin e qytetit por me të drejtë e kanë bërë kërkesën për bashkimin e qytetit.
Sipas tij, peticioni me nënshkrime të qytetarëve do të dërgohet brenda javës Kuvendit të Kosovës, qeverisë dhe presidentit, duke kërkuar kështu ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave me qëllim të bashkimit të qytetit.
“Në peticion kanë marrë pjesë edhe qytetarët e veriut, qytetarët serbë, ata janë lodhur nga strukturat paralele në veri”, ka shtuar tutje Bahtiri.
Lidhur me deklaratat e kryeministrit Haradinaj se nuk do ta përkrahë peticionin Bahtiri ka thënë se ai nuk e ka dëgjuar kryeministrin duke e thënë këtë, por se ai e di se edhe kryeministri edhe çdo qytetar që ka gjak shqiptari do ta përkrahë këtë peticion.
Bahtiri ka garantuar para gazetarëve se qyteti i Mitrovicës do të bashkohet por nuk tregoi saktë kur do të ndodhë kjo.
Kryetari i Mitrovicës e ka mohuar kategorikisht ndarjen e Kosovës përmes lumit Ibër dhe urës kryesore dhe u ka bërë thirrje politikanëve që të mos merren me Mitrovicën si mundësi për ndarje.
Pas bashkimit Bahtiri ka thënë se zyra e kryetarit të Komunës do të jetë në veri të qytetit.
Menjëherë pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka dalë me idenë për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave me qëllim ‘bashkimin’ e Mitrovicës.
Pasi mori mbështetjen e Kuvendit Komunal, Bahtiri iu drejtua Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), mirëpo kjo e fundit nuk i dha ‘dritën’ jeshile kësaj iniciative nën arsyetimin se nuk ka bazë ligjore.
Madje, për jetësimin e kësaj iniciative Bahtiri kërkoi edhe ndihmën e Qeverisë. Kjo e fundit e konsideroi idenë e tij si vullnet të mirë por nuk i dha mbështetje.
Ndërsa, pasi iu mbyllën të gjitha ‘dyert’ institucionale, kryetari Bahtiri kërkoi ndihmën e qytetarëve të cilët me anë të peticionit do të vendosin për këtë bashkim.
Mitrovica e Veriut është themeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në bazë të propozimit për statusin të emisarit të OKB-së, Martti Ahtisaari, por dy komunat, ajo e Jugut dhe e Veriut, ende nuk kanë gjetur zgjidhje për ndarjen e kufijve mes tyre për shkak të mospajtimeve rreth disa fshatrave të banuara me shqiptarë në pjesën veriore.
Peja barazon serinë çerekfinale ndaj Yllit
Kapet furgoni me 150 shpezë të futura ilegalisht nga Serbia ...
Rusia paralajmëron BE-në: Rritja e planifikuar e prodhimit t...
Bayerni fiton në frymën e fundit ndaj Real Madridit, dhe kua...
Arsenali kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve
Shefi i NATO-s thotë se Ukraina do të marrë 60 miliardë doll...