LVV shpërndan postimin e Maqedoncit me foto të edituar të FSK në veri, flasin nga Ministria e Mbrojtjes

18:39 | 29 Korrik 2025
E.G

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ndërmarrë një aksion humanitar në veri të vendit, në kuadër të kërkimeve për trupin e një 33-vjeçari që është mbytur në Liqenin e Ujmanit.

Pas këtij intervenimi, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar disa fotografi të automjeteve të FSK-së gjatë operacionit në veri.

Por në këto imazhe nuk figurojnë automjetet e KFOR-it, të cilat ishin të pranishme gjatë aksionit dhe udhëtimit në të njëjtën rrugë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vetëvendosje e ka cilësuar këtë ndërhyrje si një moment historik, duke theksuar se është hera e parë që FSK, në cilësinë e ushtrisë, ndërhyn në pjesën veriore të vendit.

Ata kanë shpërndarë edhe një postim të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për të përforcuar këtë mesazh.

Ky veprim ka nxitur reagime të shumta në rrjete sociale, me kritika për përjashtimin e dukshëm të KFOR-it nga paraqitja vizuale e operacionit.

Në lidhje me këtë, ka folur zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.

“Fotografitë janë marrë nga mediumi i parë që e ka publikuar aktivitetin, meqë ne nuk kemi pasur fotograf të angazhuar. Ashtu siç janë publikuar nga ta, njëjtë i kemi publikuar edhe ne”, u shpreh Gashi për Telegrafin.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama, ka deklaruar se FSK ka zhvilluar misione edhe më herët në veri, përfshirë operacione specifike në vitet 2014, 2016 dhe 2019.

“E kam thënë që nuk është hera e parë që FSK-ja ka operuar në pjesë veriore. Në 2014, 2016 dhe 2019 kemi pas intervenime. Pikërisht në korrik të 2014 kemi pas intervenim në liqenin e Ujmanit. Për tri ditë radhazi kemi operuar bashkërisht me KFOR-in”…, ka thënë Rama./Arbresh.info/