LDK propozon uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, kërkon masa urgjente nga Qeveria

12:37 | 3 Prill 2026
E.K

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka propozuar një projekt-rezolutë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës i kërkon Qeverisë që të ndërmarrë masa urgjente për përballimin e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës.

Projekt-rezoluta u prezantua në seancën plenare nga shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila tha se iniciativa gëzon mbështetjen edhe të dy grupeve tjera opozitare.

Sipas propozimit, kërkohet ulja e përkohshme e akcizës për naftën nga 36 cent në 20 cent për litër, deri në stabilizimin e çmimeve në bursat ndërkombëtare.

Po ashtu, LDK propozon që TVSH-ja për naftën të ulet nga 18% në 8% për një periudhë të përkohshme, deri në stabilizimin e tregut.

Në projekt-rezolutë kërkohet gjithashtu që Qeveria të gjejë forma për subvencionimin e çmimit të naftës për sektorët më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.